Kalendari kishtar me 9 nëntor përkujton shugurimi i Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran,
katedrale e Romës.
(09.11.2008 RV)Në aktet e martirizimit të Shën Justinit e shokëve të tij, shkruhet:
“Pyeti atëherë prefekti Rustiko: ‘Ku mblidheni?”. Justini u përgjigj: “Ku mundemi
e ku na pëlqen; ti kujton se ne mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend, por nuk është
ashtu, sepse Zoti i të krishterëve, që është i padukshëm, nuk mund të mbyllet në një
vend të vetëm; ai mbush përplot qiellin e tokën, prandaj nderohet e lumnohet kudo
nga ata që besojnë në Të”. Duke dhënë këtë përgjigje të guximshme, Shën Justini përsëriste
para gjykatësit, atë që Jezusi ia kishte thënë Samaritanes: “Më beso mua, grua, po
vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jeruzalem. Ju adhuroni
atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve.
Por po vjen koha – e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në
shpirt e në vertetësi” (Gjn. 4, 21-24). Festa e sotme, që na kujton ditën
kur Bazilika e Lateranit iu kushtua Shëlbuesit, sigurisht që nuk i kundërvihet dëshmisë
së Shën Justinit, e aq më pak Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri e ka për
detyrë të lutet kudo e kurdoherë, që në kohët e para të krishterimit u ndje nevoja
për t’u mbledhur në vende ku besimtarët mund të luteshin, të shpallnin Fjalën e Zotit
dhe të rijetonin së bashku vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, duke vënë në jetë fjalët
e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni e pini të gjithë; bëjeni këtë në përkujtimin
tim!” Fillimisht këto takime bëheshin ndër shtëpi private, edhe sepse Kisha nuk
njihej nga autoritet perandorake. Por kjo njohje do të arrihej shumë shpejt e bashkë
me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve të kultit të krishterë, ndërmjet të
cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit: Bazilika e Shën Gjonit në Lateran,
e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense dhe e Shën Marisë së Madhe në
Eskuilin. Bazilika Lateranense u themelua nga Papa Melkiadhi (311-314) në
trojet e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit Lateranens, asokohe seli
perandorake, më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë e të gjitha kishave të
Romës e të Botës’. Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e disa herë edhe u rindërtua.
Në këtë Kishë dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit të Romës) u kremtuan
pesë koncile, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e 1512. Bazilika e
Shën Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishetrëve të shekujve të parë, që kishin
nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar për të kremtuar Fjalën
e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve të të gjitha kohërave,
pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit duhet të jemi ne vetë”.