2008-11-07 17:45:07

Respekt për dinjitetin njerëzor dhe për pakicat, në Deklaratën përfundimtare të Seminarit organizuar nga Forumi katoliko-mysliman.


07.11.2008 RV)RealAudioMP3 Vlera e jetës, impenjimi kundër terrorizmit dhe respekti për pakicat. Janë këto disa nga temat kryesore të Deklaratës përfundimtare, paraqitur dje pasdite në përfundim të Seminarit të parë, organizuar në Romë nga Forumi katoliko-mysliman. Pak para përfundimit, përfaqësuesit katolikë e myslimanë u pritën në audiencë nga Benedikti XVI, i cili i nxiti të mbrojnë të drejtat themelore të njeriut, e posaçërisht, lirinë e fesë. Një e drejtë, kjo - që theksohet fort edhe në Deklaratën përfundimtare, e cila u bë e njohur dje, në selinë e Universitetit Papnor Gregorian.
Deklarata mbështetet mbi shtyllën e domosdoshme: “Zoti është dashuri!”. Për të krishterët, burimi dhe shembulli i dashurisë për Zotin e për të afërmin, është dashuria e Krishtit për Atin e tij, për njerëzimin, për çdo njeri”.
Për myslimanët, dashuria është forcë e mbinatyrshme dhe e pavdekshme, që e udhëheq dhe e shndërron respektin njerëzor reciprok. Dashuria është përsosja e njohjes, bazuar mbi një dialog të vërtetë. Parim, ky, që orienton edhe dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, siç thekson kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar:

“Gjatë këtyre ditëve dialogu bëri një përparim të dukshëm, pa konfuzion e me ndershmëri të madhe. Kur njëri bën përpjekje ta njohë e ta dëgjojë tjetrin, të dyja palët mund të dialogojnë, të njihen, të duhen”.

 
Ndërsa zevendës-kryetari i bashkësisë islamike italiane, Jahja Palaviçini, theksoi:

“Jetuam një përvojë të jashtëzakonshme, posaçërisht përsa i përket çiltërisë, ndershmërisë intelektuale, thellësisë së ndjeshmërisë e të kompetencave doktrinore. Si besimtarë, duhet të vemë në themel të veprimtarisë sonë përmasën e dashurisë së Perendisë, që është Zoti ynë i përbashkët. Mënyra më e mirë për t’iu afruar njohjes së Atij, që na dhuron dashurinë, që është dashuri e Zot, është pikërisht ajo e njohjes dhe e respektimit të të afërmit, duke parë praninë e Zotit në vetvete e në të tjerët”.

 
Kujtojmë se tema e Seminarit katoliko-mysliman ishte “Dashuria e Zotit e dashuria për të afërmin” e se Forumi u themelua nga Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar e nga përfaqësues të Islamit, pas Letrës së hapur “Një fjalë e përbashkët ndërmjet Nesh e Jush”, drejtuar Atit të Shenjtë dhe prijësve të Kishave e konfesioneve të tjera të krishtera, më 13 tetor të vitit 2007 dhe përgjigjes, në emër të Benediktit XVI, më 19 nëntor të të njëtit vit, nga ana e kardinalit Tarçizio Bertone. Në këtë dokument Papa ripohon rëndësinë e dialogut të bazuar mbi respektin e njëmendtë të dinjitetit të njeriut, mbi njohjen objektive të fesë së tjetrit, mbi shkëmbimin e përvojës fetare dhe mbi impenjimin e përbashkët për të promovuar respektin dhe pranimin e anasjelltë.
Në Letër, kardinali thotë se Papa e çmon shumë shpirtin pozitiv, jo polemik, që frymëzoi tekstin. Natyrisht, pa i fshehur ndryshimet tona, Papa mendon se të krishterët e myslimanët mund të punojnë së bashku, sepse të gjithë, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, besojnë në një Zot të vetëm që është Provani, Krijues, Gjykatës universal e që në fund të kohëve do të na gjykojë për veprat tona. Pra, duhet të impenjohemi të gjithë për të qenë besnikët e Tij e për t’iu bindur vullnetit të Tij. E pastaj kujtohet edhe një fragment tepër i rëndësishëm i Letrës së 138-tëve, e pikërisht ai ku shkruhet se dashuria për Hyjin e dashuria për të afërmin është, në fund të fundit, thelbi i të gjitha feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.