2008-11-07 17:44:46

Papa ambasadorit të Lituanisë: shoqëria që mohon Zotin, e humbet kuptimin e së vërtetës e të së mirës.


(07.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Një shoqëri që mohon Krijuesin, në mënyrë të pashmangshme do të fillojë ta humbasë kuptimin e bukurisë, të vërtetësisë e të mirësisë”. Janë fjalët e Papës në takimin me ambasadorin e ri të Lituanisë pranë Selisë së Shenjtë, zotin Vytautas Alisauskas, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale.
Kemi të bëjmë me një paradoks e, njëheresh, me një tragjedi të epokës së globalizimit: pikërisht kur krijohen më shumë mundësi komunikimi e ndërveprimi, shumë njerëz e ndjejnë veten të izoluar e të shkëputur nga njëri-tjetri – shpjegoi Ati i Shenjtë, duke vijuar të flasë, më pas, mbi rreziqet që e kërcënojnë shoqërinë e sotme e cila, ndonëse tashmë e lirë, vuan gjithnjë më shumë nga copëzimi e nga pështjellimi moral. Duke folur posaçërisht për Lituaninë, Benedikti XVI kujtoi historinë e gjatë e fisnike të krishterimit në këtë vend dhe fenë që e ndihmoi popullin lituan të përballojë periudhën e sundimit e të shtypjes nga ana e të huajve. Lidhur me këtë, Papa solli shembullin e përvojës personale të Gjon Palit II gjatë regjimit komunist, duke nënvizuar se pikërisht në situata të tilla tejet të vështira, feja është burim i jashtëzakonshëm force e bashkimi. Më pas Benedikti XVI pohoi se bashkësitë, të cilat jetojnë në rrethana të tilla, fitojnë vetëdijen e thellë se lumturia e vërtetë mund të gjindet vetëm në Zotin. E dinë – vijoi Ati i Shenjtë – se çdo shoqëri që mohon Zotin, e humbet kuptimin e bukurisë, të vërtetësisë e të vetë jetës njerëzore. E, duke zgjëruar vështrimin, Benedikti XVI pohoi se ka rëndësi jetike që Lituania, e me të, gjithë Evropa, ta ruajë kujtimin e historisë që jetoi, për të mbrojtur kështu identitetin e vet të vërtetë, domethënë për të mbijetuar e për të përparuar në botën e shekullit të XXI. Papa kujtoi edhe rolin jetik të Kishës: mesazhin e saj të shpresës, të solidaritetit, të vendosmërisë për t’i shërbyer së mirës së përbashkët e të përgjegjësisë ndaj më të ligshtëve. Benedikti XVI e ftoi botën politike lituane të bashkëpunojë me Kishën, duke dhënë ndihmesën për një Evropë në të cilën i jepet përparësi mbrojtjes së martesës, të familjes, të jetës njerëzore nga zënia në vdekjen e natyrshme e promovimit të praktikave mjekësore e shkencore të frymëzuara nga parime etike, duke shtuar, në përfundim, se sektorë të ndryshëm të Kuries Romake janë gjithnjë gati t’i japin ndihmë e mbështetje.







All the contents on this site are copyrighted ©.