2008-11-07 17:46:37

365 ditë: "Papa kundër fashizmit".


(07.11.2008 RV)Ndërsa pret që babai ta vërë përsëri në vend gazetën, Anxhela ia ngul sytë një titulli të shtypur me shkronja tejet të mëdha në faqen e parë: “Nuk kemi nevojë!”. Janë fjalët e para të letrës së gjatë, shkruar nga Papa Piu XI kundër regjimit të Musolinit, kreut të shtetit italian. Poshtë titullit është vënë data: 5 korrik 1931.
Kur babai e përfundon leximin, Anxhela, që mezi ç’e priste këtë çast, mundet më në fund ta pyesë: “Më kujtohet se dy vjet më parë, në vitin 1929, Papa nënshkroi një marrëveshje me Musolinin , i cili ia ktheu territorin e Vatikanit. Domethënë Musolini u tregua shumë i sjellshëm me Papën. Pse tani Piu XI pohon se nuk kemi nevojë për të? Profesori im i italishtes na thotë se Musolini është udhëheqësi më i mirë në botë. Që kur e mori pushtetin më 1922, Italia, sipas tij, është bërë vend i fuqishëm. Profesori im thotë edhe se ne duhet ta duam Musolinin me gjithë zemër e t’i shërbejmë me të gjitha forcat”.
Babai i Anxhelës rrudh vetullat e një hije e zezë i kalon nëpër fytyrë. Dëshiron atë çast t’i thotë së bijës: “Pikërisht për njerëz si profesori yt e ka shkruar Papa këtë letër!”.
Po nuk është aspak e lehtë të thuash fjalë të tilla në një kohë të tillë... Është çështje tepër delikate.
Musolini është diktator e prandaj shqetësohet Piu XI. Ka shtënë në dorë gjithë pushtetin, por kjo nuk i mjafton: kërkon që të gjithë, pa përjashtim, të hyjnë në partinë e tij politike, të bëhen fashistë. Në shkolla, në gjimnaze e në shoqatat rinore të rinjtë i mësojnë ta admirojnë, gati gati ta adhurojnë Musolinin.
Letra e Piut XI sqaron pikërisht këtë situatë. Papa shpjegon se nuk duhet adhuruar asnjë kryetar shteti. I kundërvihet metodave të Musolinit, që i rekruton të rinjtë e i shndërron fëmijë e të rritur në vegla, që i shërbejnë fashizmit. Ndaloi edhe mbledhjet e një shoqate studentësh të krishterë, sepse nuk e adhuronin diktatorin. Nisi kështu t’i shikojë me dyshim gjithë të krishterët.Prandaj e shkroi Papa letrën, për t’u hapur sytë italianëve përballë rreziqeve të fashizmit, që synon të zhdukë çdo lloj lirie. Diktatura e liria nuk mund të bashkëjetojnë. Diktatura e vret lirinë! Sigurisht Papa e di mirë se Musolini do ta urrejë për vdekje. Për ta ndëshkuar, do të mbyllë shoqata të tjera të krishtera. Por Papa nuk mund të mos e thotë haptazi të vërtetën: “Jo, ne nuk kemi nevojë për një kryetar tjetër, përveç Krishtit, për të na udhëhequr drejt lumturisë së vërtetë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.