2008-11-06 16:03:07

365 ditë: "Xhorxh Lëmetrë, meshtari që zbuloi big bengun".


(06.11.2008 RV)Në vitin 1964, në një universitet amerikan, dy inxhinierë mbajnë një konferencë. Quhen Vilson e Pencias. Kanë shpikur kohët e fundit një radar tejet të fuqishëm, i cili u krijon mundësinë të marrin emisionet që vijnë nga satelitët, për të përmirësuar kështu telekomunikacionin në SHBA. Ky radar, që merr valë shumë të largëta nga hapësira, është një hap vigan përpara për zhvillimin e shkencës.
Por Vilsonit e Pencias u lindi një problem me shpikjen e tyre. Në radar dëgjohet gjithnjë një si fëshfërimë misterioze. U munduan ta pastrojnë antenën, duke menduar se e kishin ndotur pëllumbat… por fëshfërima nuk u zhduk.
Papritmas njëri nga të pranishmit në konferencë, bën një pyetje: “E sikur kjo fëshfërimë të jetë big bengu i don Lëmetrë?”.
Në sallë dëgjohen të qeshura. Big bengu i don Lëmetrë, për ata që kanë dëgjuar të flitet për të, është diçka qesharake.
Rreth tridhjetë vjet më parë, në vitin 1931, një meshtar e shkencëtar belg, Xhorxh Lëmetrë, formuloi teorinë e tij mbi lindjen e hapësirës: miliarda e miliarda vjet më parë, universi ishte vetëm një pikë e ndritshme. Kjo pikë shpërtheu si një fishekzjarr, duke krijuar galaktikat, miliarda yje që u përhapën në të katër anët.
Që atëherë, sipas Xhorxh Lëmetrë, galaktikat vijojnë të largohen njëra nga tjetra e universi vijon të zmadhohet gjithnjë më shumë. Kur meshtari belg e shpjegoi teorinë e tij, shumkush u tall me të.
“Një farë prifti po përpiqet të provojë shkencërisht se hapësira u krijua nga Zoti, duke u nisur nga hiçi”- shpjegojnë disa shkencëtarë.
“Është çmendur. Nuk ka mundësi që universi të zgjërohet!” – pohojnë të tjerët.
Fundja, mund të themi se nuk e besoi askush. Zbulimi i tij u quajt ‘Big beng’, për t’u tallur me shpërthimin, për të cilin flet!Kur Vilsoni e Pencias dëgjuan të flitet për këtë teori, falë pyetjes që u bë gjatë konferencës, vendosën ta shqyrtojnë seriozisht big bengun e Xhorxh Lëmetrë. Në fund të fundit nuk duhet nënvleftësuar asgjë. Dy shkencëtarët mbetën me gojë hapur, kur kuptuan se fëshfërima e radarëve të tyre përkonte plotësisht me llogaritjet e Lëmetrë: shkaktohej nga lëvizja e galaktikave, që largohen njëra nga tjetra. Falë radarit të ri, askush nuk tallet më me big bengun, që nis të konsiderohet si teori e mirëfilltë shkencore, e njohur nga të gjithë. E ky ishte shpërblimi më i mirë për Xhorxh Lëmetrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.