2008-11-05 19:26:17

Bashkia e Oksfordit fshin të gjitha referimet që kanë të bëjnë me Krishtlindjen. Imzot Ravazi: “Ky është ateizmi i ri i hirtë e i pathemeltë i indiferencës”.


(05.11.2008. RV) RealAudioMP3 Bashkia e Oksfordit të Britanisë Madhe ka vendosur të heq me ligj çdo referim të Krishtlindjes. Të gjitha festat me 25 dhjetor e vijim do të hyjnë tash e mbrapa në të ashtuquajturat “Festime të dritës dimërore”. Qëllimi sipas autoriteteve të kësaj bashkie britanike është që të ridimensionohet jehona e tepërt që ka kjo festë e krishterë në krahasim me fetë e tjera. Kundër këtij vendimi protestuan menjëherë jo vetëm anglikanët dhe katolikët, por edhe hebrenjtë e myslimanët. “Besimtarët myslimanë – dhe ata të besimeve të tjera – pohoi Këshilli mysliman i Oksfordit – e presin me padurim Krishtlindjen, një festë e veçantë që nuk mund të fshihet me një të rënë të lapsit”. Mbi këtë vendim të bashkisë së Oksfordit që ngjalli shumë diskutime, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Imzot Xhanfranko Ravazi, president i Këshillit Papnor për Kulturën.
Përgjigje: Dëshira, sipas mendimit tim, nuk është aq ajo e arritjes së rivendosjes së një dialogu në atë mënyrë që të shmangen shpërdorimet, teprimet e veprime e padrejta, por më tepër, ajo e shuarjes deri në atë pik aq sa të zhduket çdo identitet personal, çdo histori që është pas nesh, e jo të vendoset kurrë dialogu i vërtetë. Dialogu i vërtetë ndërtohet përmes identiteteve; prandaj, në këtë rast, unë mendoj se nuk bëhet fjalë vetëm për një ekstravagancë, por së fundi edhe për një mohim të vetëdijshëm - nuk e di deri në ç’pikë - të një madhështie që e kemi pas nesh, e cila e ndërton vetë fytyrën e identitetit. Është një frazë e poetit të madh anglo-amerikan Eliot, i cili thoshte : “Nëse ne lejojmë që të veniten tiparet tona të krishtera, atëherë, në fund, ne nuk humbim vetëm vetveten, por humbasim edhe fytyrën (identitetit) tonë.”
Pyetje: Lidhur me identitetin e krishterë, “Festa e dritës dimërore” ndoshta përpiqet të errësojë jo vetëm krishterimin por edhe marrëdhëniet e njeriut me Zotin. Pse po avancon në botë kjo valë e re indiferentizmi?
Përgjigje: Ndërsa në të kaluarën, kur luftohej prania e shenjave fetare, kjo gjë bëhej me argumente, madje deri edhe me dëshirën që t’i kundërvihej një sistem alternativ, tani, shpeshherë, ky avancim i mohimit është bërë një lloj vale e pangjyrë, e mjegullt, po synohet futja e një elementi kaq të rrjedhshëm e të paqëndrueshëm që është edhe karakteristika e shekullarizimit aktual. Zoti nuk mohohet, por injorohet krejtësisht e prandaj edhe impenjimi baritor bëhet edhe më i ndërlikuar, sepse përballë një mohimi, mund të sjellësh argumente, kurse përballë kësaj lloj “loje të shoqërisë”, të pangjyrë, të pa aromë, të pashije, kemi, në fund të fundit, vetëm pamundësinë e reagimit. Tani ne nuk kemi më ateizmin në kuptimin e fortë, ndonjëherë dramatik si në të kaluarën. Tani ne kemi indiferencën, mospërfilljen. Kjo indiferencë hollon ngjyrat e çdo gjëje, zbeh i nxjerrë bojën, e së fundi, ndoshta e pengon njeriun edhe t’i bëjë pyetje vetvetes – siç bëjnë të gjitha fetë e mëdha – mbi temat themelore, tema kryesore që vijnë e shkrihen brenda një atmosfere kaq të pavlerë e të pathemeltë.







All the contents on this site are copyrighted ©.