2008-11-05 12:35:44

Barak Obama president i ri i SHBA-ve


(5.11.2008 RV)Barak Obama është presidenti i ri amerikan. Kandidati demokrat fitoi bindshëm në të gjitha shtetet më të rëndësishme kundër republikanit, Xhon Mek Kein. Pas Xhorxh Bushit, Obama është presidenti i 44-t i SHBA-ve. Pas shpalljes zyrtare të rezultateve të votimit, kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë iu drejtua kombit me një fjalim nga shtabi i tij i përgjithshëm në Çikago.
Fitorja e Obamës shihet si një ndryshim rrënjësor, që sjell për herë të parë në historinë amerikane, një president me ngjyrë, bir afrikani, një politikan të ri demokrat pas epokës republikane të Bushit, e cila ka përfunduar me rezultate katastrofike. Mjafton të krahasojmë buxhetin federal në fillim e në fund të karrierës së Bushit. Në vitin 2000, SHBA dispononin një surplus prej 230 miliard dollarësh, ndërsa në vitin 2008 ato kanë një defiçit prej 455 miliard dollarësh. Është rritur gjithashtu papnunësia, inflacioni dhe është dobësuar dollari. Natyrisht, presidentit aktual, i cili do të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janarin e vitit 2009, i është dashur të përballojë atentatet kundër Kullave Binjake e krejt krizën botërore që pasoi.
Barak Obama gjen tani sfida të rëndësishme, në fushën ekonomike para së gjithash, por edhe në fushën e ambientit, të terrorizmit e të rivalitetit me vendet e tjera në rritje, si Kina, Rusia, por edhe India, vendet arabe e ato të Amerikës Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.