2008-11-05 18:13:39

365 ditë: "Për ‘Zemrat trime’ s’ka asgjë të pamundur!".


(05.11.2008 RV)RealAudioMP3 Nëna e Mishelit dhe e Kristianit sapo u dorëzua. Nën vështrimin e vëmendshëm të binjakëve të saj të dashur e… të tmerrshëm, plotëson dëftesën e një abonimi, që shkaktoi shumë diskutime në shtëpi...
Një javë më parë, Misheli e Kristiani u kthyen nga shkolla duke tundur këtë faturë të famshme. Duhej pa-tje-tër e me-një-he-rë të abonoheshin në gazetën e re për fëmijë, ‘Zemra trime’, që nisi të botohej në vitin 1930. Por nëna nuk u tregua aspak e gatshme për ta bërë këtë punë me-një-herë, siç dëshironin fëmijët e saj binjakë. Donte të bindej më parë në se ia vlente barra qiranë. Donte të informohej mirë, para se të vinte nënshkrimin mbi çfarëdolloj karte. Kështu, të nesërmen, binjakët u kthyen në shtëpi me një kopje të gazetës së re, të huajtur nga një shok klase.
“Është një gazetë e themeluar nga dy meshtarë, don Gaston Kurtuaz e don Zhan Pihan. Mama, mos e vërë fare në dyshim! Është gjë e mirë! - tha plot entuziazëm Kristiani, duke dashur ta bindë t’ëmën.
“Kjo nuk do të thotë gjë prej gjëje!”, u përgjigj e ëma, duke qeshur, ndonëse nisi t’i pëlqejë, sapo lexoi nëntitullin: “Për zemrat trime, s’ka asgjë të pamundur!”.
Pa ua vënë fare veshin binjakëve potermëdhenj, u zhyt në leximin e tetë faqeve të gazetës e nuk u desh shumë kohë që tregimet e saj vizatimore ta rrëmbenin. Aventurat e Tintinit, personazh i krijuar nga piktori e rrëfimtari belg Herzhé, iu dukën tepër terheqëse, ashtu si edhe ato të personazheve të tjera. Të gjitha këto histori mahnitëse aventurash të guximshme, dukeshin sikur ishin shkruar pikërisht për binjakët e saj! Vendosi, kështu, t’i abononte Mishelin e Kristianin, por...
“Dhuratë për ditëlindjen tuaj” - u tha, duke e palosur gazetën.
Përrenj protestash nga ana e të interesuarve. Por, ku ta dish? Ditëlindjen do ta festonin pas tre muajsh. Ndërsa tani asnjë nga shokët nuk do t’i përfillte, në se nuk do t’i ndiqnin javë për javë aventurat e Tintinit! E të Patatrakut, e të Xhim Boumit e tregimet e tjera vizatimore. Të gjithë miqtë ishin abonuar, e ata të rrinin me duar bosh?
Nëna kishte rezistuar disa javë, por sot u dorëzua, e lumtur që më në fund mund t’ ua bënte këtë dhuratë binjakëve të saj të dashur.
E njëjta skenë zhvillohej në të njëjtin çast në shumë familje të tjera...
‘Zemra trime’ pati aq shumë sukses, sa meshtarëve, që e krijuan, u lindi një ide tjetër. Në vitin 1936 themeluan lëvizjen ‘Zemra trime’ për djemtë e ‘Shpirtra trime’ për vajzat. Këto shoqëri mblodhën të gjithë fëmijët që donin ta jetonin jetën e tyre të krishterë si aventurë. Thuhet se është vështirë ta ndjekësh Jezusin? Për “Zemrat trime’ s’ka asgjë të pamundur!







All the contents on this site are copyrighted ©.