2008-11-04 16:22:47

U hap në Vatikan Forumi katoliko-mysliman. Intervistë me kardinalin Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar


4.11.2008 RV)RealAudioMP3 Filloi sot e do të vazhdojë deri më 6 nëntor, seminari i parë i organizuar nga Forumi Katoliko-mysliman, i themeluar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar e nga eksponentë myslimanë, pas letrës së hapur së 13 tetorit 2007, drejtuar Papës Benedikti XVI dhe krerëve të tjerë të Kishës e të Bashkësive të krishtera nga 138 personalitete myslimane. Kujtojmë se përgjigjia e Atit të Shenjtë u dha më 19 nëntor 2007.
Seminari ka për temë “Dashurinë e Zotit; dashurinë për të afërmin”. Dita e sotme iu kushtua bazave teologjike dhe shpirtërore të kësaj teme, ndërsa dita e nesërme do t’i kushtohet “dinjitetit të njeriut dhe respektit të ndërsjelltë”. Ditën e tretë, më 6 nëntor, pjesëmarrësit do të priten në audiencë nga Ati i Shenjtë, ndërsa pasdite, në orën 16.30 do të zhvillohet një sesion publik në Universitetin Papnor Gregorian, gjatë të cilit do të bëhet e njohur edhe Deklarata përfundimtare. Në seminar marrin pjesë 29 ekspertë nga ana katolike dhe po aq nga ana myslimane. Mbi rëndësinë e këtij takimi, të dëgjojmë intervistën tonë me kardinalin Zhan-Lui Turan, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar:
Është rrjedhojë e letrës, që 138 personalitete myslimane u drejtuan, vitin që shkoi, krerëve fetarë të krishterë e në veçanti Papës. Është një takim i parashikuar. Por gjëja më e rëndësishme është se ai na bën të mundur ta rilexojmë Islamin përmes dy urdhërimeve: dashurisë së Zotit dhe dashurisë së të afërmit. Është diçka që s’është bërë më parë.
Tani, kujdes, të mos e shndërrojmë këtë letër e këtë forum katoliko-mysliman në diçka të jashtëzakonshme, sikur ta kishim filluar dialogun nga kjo e letër e 138-ve. Jo, ne dialogojmë me Islamin që prej 1400 vjetësh. Kemi gjithashtu Koncilin, me dokumentin “Nostra Aetate”, që ka përvijuar një rrugë edhe më të saktë për dialogun. Prandaj, unë do të thosha se është një kapitull i ri i një historie të gjatë.
Si janë zgjedhur temat e këtij seminari, me çfarë procedure? Ç’rezultate prisni?
Temat u zgjodhën gjatë një mbledhjeje, që patëm në marsin e kaluar, ndërmjet një delegacioni të 138-ve dhe Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Temat u zgjodhën sëbashku. Në takim, katolikët paraqesin pikëpamjet e tyre, myslimanët të vetat e më pas do të dialogojmë mbi to. I lihet kohë e mjaftueshme dialogut, në mënyrë që palët të njihen mirë, të shpjegohen. Mendoj se do të kemi mjaft kohë gjatë këtyre dy ditëve për t’u thelluar në temat, që janë argument i reflektimeve tona. Në fund, parashikohet një deklaratë e përbashkët.
Dialogu ndërmjet të krishterëve e myslimanëve vazhdon prej dekadash. Cilat janë çështjet në qendër të tij, në këtë moment?
Flasim pak nga të gjitha. Por, për shembull, nuk mund të themi se kemi një dialog teologjik. Dialogu teologjik është baza, por akoma nuk është përcaktuar e realizuar teknikisht. Nga ana tjetër, bashkëpunojmë në nivelin e etikës, në nivelin shpirtëror, kur veprojmë bashkërisht, në rastet e katastrofave të mëdha humanitare. Për të qenë realistë, sipas meje, gjëja më e rëndësishme është se pavarësisht nga vështirësitë, pavarësisht nga krizat, ne flasim. Urat ndërmjet nesh nuk janë prishur e mendoj se kjo është e rëndësishme.
Si u përgjigjeni atyre që pretendojnë se marrëdhëniet katoliko-myslimane mbeten të ndera?
Marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve varen shumë nga gjendja politike në ato vende ku Islami është feja e shumicës. Besoj se ajo që i tendos marrëdhëniet është edhe se për botën myslimane, Krishterimi është Perëndim. Është një përzierje tepër e rrezikshme, pasi sa herë që përgjegjësit e shoqërive perëndimore marrin vendime politike, që myslimanët i konsiderojnë kundër interesave të tyre, atëherë thonë: këta janë të krishterët që na sulmojnë, këta janë të krishterët që na provokojnë. E marrëdhëniet mbeten të ndera.
Në disa vende myslimane, gjendja e të krishterëve është vërtet e vështirë. Liritë e tyre ose janë të kufizuara, ose nuk ekzistojnë. A vepron Selia e Shenjtë për të përmirësuar situatën? Nëse po, si vepron?
Së pari, i duhet të veprojë për të përmirësuar gjendjen e tyre. Është detyrë e Selisë së Shenjtë të mbrojë të drejtat themelore, kur ato kërcënohen ose mohohen. Si vepron Selia e Shenjtë? Së pari, duke u kujtuar bashkëbiseduesve të drejtat themelore të njeriut: e drejta për jetën, e drejta për lirinë e ndërgjegjes e të fesë e çdo të drejtë tjetër, që lidhet me to.
Pastaj, ajo ka pa dyshim, kanalet diplomatike. Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike me shumë vende arabe. Ky është një kanal i privilegjuar. Gjithashtu, dialogu ndërfetar na lejon të kërkojmë të drejtat dhe përmbushjen e aspiratave legjitime të vëllezërve tanë në fe, që janë objekt persekutimesh e dhune. Unë besoj se, siç them shpesh, ne jemi të dënuar të dialogojmë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç asaj që na lejon të ecim sëbashku, me ndihmën e Zotit. Jemi të gjithë në rrugë drejt së vërtetës. Kur gjendemi në situata të vështira, nuk duhet të kemi frikë të themi që besojmë, se është Ai në të cilin besojmë. Nuk duhet të kemi frikë për të denoncuar dhunimin e të drejtave të njeriut, sido që të jenë, në mënyrë që e vërteta të ngadhnjejë mbi forcën e forca e së drejtës të ngadhnjejë mbi të drejtën e forcës.







All the contents on this site are copyrighted ©.