2008-11-03 18:24:30

365 ditë: "Hozemaria Eskrivá de Balaguer u propozon njerëzve ta bëjnë punën lutje".


(03.11.2008 RV)“Më tregoni, ju lutem, diçka për Veprën e Zotit”?
Hozemaria Eskrivá i përgjigjet pyetjes së gazetarit, me një pyetje tjetër: “Për veprën e Zotit në përgjithësi?”.
“Ah, jo, përndryshe intervista do të vijonte me vjet! E kam fjalën për ‘Opus Dei’, lëvizjen e themeluar nga ju në vitin 1928”.
“Ç’dëshironi të dini?”.“Opus Dei tërheq shumë të krishterë, burra, gra, të rinj, pleq, meshtarë, nëna e baballarë familjesh... Ju e themeluat në vendin tuaj, në Spanjë, e tani është shtrirë në mbarë botën, ose gati. Ç’ keni propozuar, për të pasur një sukses kaq të madh?”.
Meshtari vë buzën në gaz e më pas pyet përsëri: “Ju merren mendtë nga lartësia?”.“Jo, po ç’ hyn këtu lartësia?”.
“Ejani me mua!”.
Hozemaria Eskriva e merr përkrahu gazetarin e i prin drejt katedrales së Madridit, ku ngjiten në maje të njërës nga kullat apo këmbanaret. E kur arrijnë në majë, meshtari e pyet gazetarin:
“Ngreji sytë lart; çfarë shikon?”.
“Qiellin!”.
“E pak më poshtë, në majë të këmbanares?”.
“Një qindizmë të mrekullueshme, realizuar në gur”.
“Sipas jush, kjo qindizmë a shihet nga rruga?”.
“Jo, është tepër lart, për t’u parë nga rruga”.
“ Megjithatë, skulptori ka vënë gjithë mjeshtrinë e tij në realizimin e saj”.
“Do të shtoja edhe se ka punuar me shumë pasion”.
“Ja, pra, kjo është Vepra e Zotit”.
“S’po ju kuptoj?!”.“Vepra e Zotit’ është të bësh punën tënde, cilado qoftë, ashtu si e bëri ky artist. Ndërsa e skaliste këtë gur, e dinte mirëfilli se njerëzit atje poshtë, në rrugë, nuk do të mund ta shikonin, e aq më pak të vlerësonin sa ishte munduar për ta realizuar. Atëherë sipas jush, për kë punonte?”.
“Për Zotin?”.
“Pikërisht kështu. Puna e tij i ngjante lutjes. E është pikërisht kjo që Opus Dei u propozon anëtarëve të vet. Janë njerëz të zakonshëm, që punojnë, kanë familje, merren me veprimtari nga më të ndryshmet.... por që duan ta bëjnë punën e tyre lutje. Duan ta shndërrojnë jetën e tyre, ta bëjnë një dialog të përditshëm me Zotin”.
“Gjë e bukur. Po si bëjnë për ta realizuar këtë?”.
“Kur një njeri hyn në ‘Opus Dei’ zotohet t’i kushtojë çdo ditë pak kohë lutjes, edhe atëherë kur është tepër i zënë. E sidomos, të gjejë kohën për të shkuar në Meshë. Mesha është mënyra më e mirë për të takuar Krishtin, për të mos e harruar”.
“Domethënë se mijëra njerëz në botë jetojnë në këtë mënyrë?”.“Pikërisht. Këta njerëz përpiqen përvujtërisht ta skalisin botën. Ashtu si artisti, që skaliti gurin. Për ta bërë më të krishterë e më të mirë.”
Imzot Eskriva do të shpallej shenjt në vitin 2002, njëzet e shtatë vjet pas vdekjes. Sot ‘Opus Dei’ është përhapur në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.