Me 2 nëntor, përkujtimi i të gjithë besimtarëve të vdekur.
(01.11.2008 RV)Në sa Dita e të Gjithë Shenjtorëve perëndon, përgatitemi për
nesër, dita e përkujtimit të të vdekurve, kur do të nisemi simbolikisht për një shtegtim,
sa të dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe
drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve
të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona. Me këto ndjenja përulemi realisht e
simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të
reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur,
nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në
sy për të dashurit që më s'janë. Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin
një trishtim të thellë, nuk duhet të harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë
e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë,
na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta
hedhur në tokë. E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi
dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se
kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit!