2008-11-01 12:17:28

Liturgjia e Fjalës e Festës të të Gjithë Shenjtorëve. 'Drejt atdheut të përbashkët, ne shtegtarë mbi tokë..'


(01.11.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të festës të të Gjithë Shenjtorëve, që Kisha kremton sot me 1 nëntor.
Kjo festë na kujton idealin e krishterë të shenjtërimit e kremton aradhen e atyre vëllezërve e motrave tona, që gjatë shekujsh e deri në ditët tona, janë dalluar në mënyrë të posaçme për një jetë të jetuar në përkim me vullnetin e Fjalët e Zotit e që pas vdekjes gëzojnë lumturinë e jetës në Zotin.
Pra, festa e të Gjithë Shenjtorëve është festa e atyre që gëzojnë lumturinë Hyjnore por që nuk janë shpallur zyrtarisht e kanonikisht shenjtorë. Kjo festë na fton të shikojmë drejt atdheut të përbashkët, drejt lumturisë qiellore në Jetën e pavdekshme në Krishtin e Gjallë në bashkim me të Gjithë Shenjtorët.
Kur flasim për shenjtorët, nuk duhet ti mendojmë si heronj, sepse ata janë njerëz si ne, por që kanë marrë seriozisht Ungjillin e Krishtin në jetën e përditshme, e jetuan thellësisht, e dëshmuan, e duke vepruar kështu, u bënë vërtetë të jashtëzakonshëm, u bënë shenjtorë. Po duhet thënë se shenjtorët janë njerëz normalë, madje edhe me gabime e të meta. Po këto gabime e të meta arritën t’i ndreqin, të ndriçuar nga drita e Ungjillit, duke e jetuar Biblën fjalë për fjalë e duke e dëshmuar ditë për ditë me besnikëri të jashtëzakonshme. Shenjtëria, sipas kuptimit biblik, nuk është tjetër veçse përsosuri, pra mund të themi se shenjt është njeriu i mirë, njeriu që ka arritur të bëhet NJE me Zotin, i cili është i përkryer.
Kështu, me 1 nëntor kremtojmë ditën e të gjithë shenjtorëve, Festa e të Gjithë Shenjtorëve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e* lartë e jetës për çdo të krishterë.
“Shenjtëria nuk është privilegj vetëm për të krishterët ose vetëm për heronjtë e krishterimit, por është detyrë për të gjithë njerëzit”. Këtë pati pohuar me të drejtë Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, më 1 nëntor 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit.
Në fillimet e krishterimit, anëtarët e Kishës me tjerash, quheshin edhe ‘shenjtorë’ e i krishteri, si i tillë, është tashmë shenjt, sepse pagëzimi e bashkon me Jezusin e me misterin e Pashkëve të Tij, por njëkohësisht edhe duhet të bëhet shenjt, duke u njësuar gjithnjë më shumë me Krishtin gjatë jetën tokësore.
Kur flitet për shenjtërinë e shenjtorët, “nganjëherë mendohet se shenjtëria është privilegj që u përket vetëm pak të zgjedhurve. Në të vërtetë, të bëhesh shenjt është detyrë e çdo të krishteri, madje mund të themi, e çdo njeriu! Shkruan Apostulli se Zoti na bekoi me çdo bekim shpirtëror e na zgjodhi në Krishtin, që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef.1, 3-4). Prandaj të gjithë njerëzit janë të thirrur për shenjtëri, gjë që në fund të fundit do të thotë të jetosh si Bir i Hyjit, në shëmbëllim me të, ashtu si u krijuam”.
Të gjitha qeniet njerëzore janë bij të Hyjit, e të gjithë duhet të bëhen atë çka janë, përmes rrugës kërkuese të lirisë. Prandaj Hyji i fton të gjithë të bëjnë pjesë në radhët e popullit të tij shenjt. Rruga është Krishti, Biri, Shenjti i Hyjit: askush nuk shkon tek Ati, posë nëpër Të”.
Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve dhe Përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur: pikërisht “atyre nesër do t’ia kushtojmë posaçërisht lutjen tonë e për të vdekurit do të kremtojmë Flijen Eukaristike. Në të vërtetë, çdo ditë e në çdo meshë, Kisha na fton të lutemi për ta, duke ofruar edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim që, plotësisht të pastruar, besimtarët e vdekur të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën dhe paqen e Zotit”.
“Duke shtrënguar dorën tonë në të sajën, e ndjejmë se mund të ecim më me zell në rrugën e shenjtërisë. Në këto dy festa t’ia besojmë jetën tonë përdëllimit të Zotit e Atij ti lutemi edhe për të dashurit tanë të vdekur, me shpresën se një ditë do të jemi të gjithë së bashku, në shoqërinë e lumnueshme të shenjtorëve”. Mos të harrojmë se “shenjtëria nuk është privilegj për pak të krishterë, por detyrë e mundësi për të gjithë njerëzit”. ( Benedikti XVI, Lutja Engjëllit Tenzot 01.11.2007)....e këu mund të dëgjoni leximet e komentin e leximeve biblike të solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve.............RealAudioMP3
E tani të ndalemi pak mbi domethënien e këtij solemniteti:
Kisha na mëson se ‘Shoqëria e Shenjtorëve’ është bashkimi i të gjithë atyre që besojnë në Krishtin: të atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; të atyre që janë ende në Purgator e atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Është Kisha e parë në tri stinë: në stinën e shtegtarëve mbi tokë; të atyre që kanë arritur në Purgator e që, edhe pse tani për tani vuajnë, janë të sigurtë se do të shkojnë më pas në qiell; e në stinën e fatlumëve, të cilët tashmë janë në shtëpinë qiellore. Kremtimi i 1 nëntorit na kujton vëllezërit e motrat tona që kanë arritur në qiell, që janë me Zotin e mund ta shikojnë jetën në Hyjin, ashtu si Hyji është e përgjithmonë.
Po ç’ duhet të kuptojmë me shprehjen ‘me ndërmjetësinë e shenjtorëve?
Shenjtorët në qiell mund të luten për ne. Në se, për shembull, Shën Atë Pio nga Pietralçina mund të lutej për ne kur ishte në tokë, aq më tepër mund ta bëjë këtë tani që është në qiell. E këtë mund ta themi për të Lumen Nënë Terezë e të gjithë ata që gëzojnë pamjen e Hyjit, duke nisur pikërisht nga Zoja e Bekuar e duke vijuar me engjëjt e shenjtorët. Ata, pra, luten për ne, ndërmjetësojnë për ne, për besimtarët, për famullitë, për dioqezat, për mbarë Kishën. E në këtë kuptim, themi se shenjtorët luten për ne e se secili nga ne ka shenjtin e vet pajtor qiellor. E është punë e mirë të merret emri i ndokujt që është në qiell, si pajtor i shenjtë.
Kjo festë na thotë se të gjithë jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë, po si mund ta kuptojmë këtë thirrje universale për shenjtëri?
Shenjtëria është përmbushja e dashurisë. Kush ka më shumë dashuri për Hyjin e për të afërmin, ai është shenjt. Kështu e përkufizon Koncili II i Vatikanit. Thirrja për shenjtëri nuk u përket vetëm të zgjedhurve; është thirrje universale, që u drejtohet të gjithëve. Kështu na mëson Koncili në Dokumentin ‘Lumen Gentium’, e kështu propozon Kisha: t’u përngjasim shenjtorëve në situata, kohë e fusha të ndryshme të jetës. Ndërmjet tyre ka klerikë, e ne e dimë se janë të shumtë, si Toma i Akuinit, Gjon Bosko, Gjon Vianei; pastaj rregulltarë si Shën Benedikti, Shën Bernardi e tri Terezat ( Tereza e Avilës, Tereza e Krishtit Fëmijë e Tereza Bojaxhiu e Kalkutës). Por ka edhe laikë: mjafton të mendojmë për Tomas Moron, Karlo Luangën, Maria Goretin (martire në moshën 11 vjeçe), Luigj e Maria Beltramin Quatroki (bashkëshortë të lumnuar), Berta Molën e sa e sa të tjerë. Libri i Besëlidhjes së Re, ‘Zbulesa’ e Shën Gjonit Apostull na kujton 144 mijë; një numër që nuk mund të përcaktohet më: njerëz të çdo populli, të çdo kulture e të çdo kombi, që këndojnë këngën e re të Qengjit të Hyjit, të Krishtit shpërblyes. Është kjo thirrje për të gjithë neve. Të bëhesh shenjt në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, d.m.th bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!
Suksesi i vërtetë i jetës është shenjtëria, e shenjtëria është realizim i plotë i jetës njerëzore. Prandaj Krishti i quan shenjtorët të Lum. Lumnitë janë pikërisht karakteristikë e Shenjtorëve. Të varfërit shpirt, dmth ata që e kanë shpirtin të lirë, që nuk kanë etje për para, për pushtet, për sukses, që nuk ëndërrojnë mite e nuk e duan dhunën; që janë plot mëshirë, që nuk dinë ç’është urrejtja, që e kanë zemrën të pastërt, të papërbaltur, janë njerëz që kanë arritur lumturinë, janë vërtetë të Lum.







All the contents on this site are copyrighted ©.