2008-11-01 16:09:11

Dija e vërtetë është dashuria pa interes.


(29. 10. 2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

në përvojën personale të Palit kemi një të dhënë të pakonvertueshme: ndërsa në fillim qe salvues e ushtroi dhunën kundër të krishterëve, që nga çasti i kthimit në rrugën e Damaskut, kaloi në anën e Krishtit të kryqëzuar, duke ia kushtuar Atij jetën e predikimin. Kjo jetë, të cilën ai e shkriu plotësisht për shpëtimin e shpirtrave (cfr. 2 Kor 12, 15), nuk qe aspak e qetë, por plot me rreziqe e vështirësi. Në takimin me Krishtin, atij iu bë i qartë kuptimi kryesor i Kryqit: kuptoi se Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë e edhe për të. Të dyja gjërat ishin të rëndësishme: universaliteti: Jezusi vdiq me të vërtetë për të gjithë, e subjektiviteti: Ai vdiq edhe për mua. Në kryq, pra, u shpreh dashuria e Hyjit, pa kurrfarë interesi e plot me mëshirë. Këtë dashuri Pali e provoi sidomos në vetvete (cfr Gal 2,20) e nga mëkatar, u bë besimtar; nga persekutues, apostull. Ditë për ditë, në jetën e tij të re, provonte se shëlbimi ishte ‘hir’, se gjithçka rridhte nga vdekja e Jezusit e jo nga meritat, që ai nuk i kishte. ‘Ungjilli i hirit’ u bë kështu për të e vetmja rrugë për ta kuptuar kryqin, kriter jo vetëm për jetën e tij të re, por edhe për përgjigjen që duhet t’u jepte bashkëfolësve. Ndër ta ishin, sidomos, judenjtë, që e mbështesnin shpresën në veprat dhe e prisnin prej tyre shpëtimin; ishin pastaj grekët, që i kundërvinin Kryqit dijen e tyre njerëzore; së fundi ishin ato grupe heretikësh, që kishin krijuar idenë e vet për krishterimin, në përkim me modelin e jetës së tyre.

Për Shën Palin Kryqi ka epërsi të plotë në historinë e njerëzimit; ai është pika kryesore e teologjisë së tij, sepse Kryq do të thotë shëlbim si hir, që Hyji ia dhuron çdo krijese. Tema e kryqit të Krishtit bëhet element themelor e parësor i predikimit të Apostullit: shembulli më i qartë është ai, që ka të bëjë me bashkësinë e Korintit. Përballë një Kishe me çrregullime e shkanduj shqetësues, në të cilën bashkimi kërcënohej nga parti e përçarje të brendshme, që cënonin unjësinë e Korpit të Krishtit, Pali nuk përdor fjalë të zgjedhura, as dije; s’di tjetër, përveçse Jezu Krishtin, e ketë, të kryqëzuar. Forca e tij nuk është fjala bindëse por, në kundërshtim me të, ai pohon se ka shkuar në mes tyre plot me ligështi e me frikë të madhe e duke u dridhur, i mbështetur vetëm në ‘fuqinë e Hyjit’(cfr Kor 2,1-4). Kryqi, për gjithçka përfaqëson, e prej këndej, edhe për mesazhin teologjik që përmban, është shkandull e marri. Apostulli e pohon këtë me një forcë tronditëse, që është më mirë ta dëgjojmë duke përdorur vetë fjalët e tij: “Fjala e Kryqit është marri për ata që dënohen, por për ata që shëlbohen, për ne, është fuqí e Hyjit .. e Hyjit i pëlqeu t’i shpëtojë ata që besojnë, me anën e marrisë së predikimit. E ndërsa judenjtë lypin shenja mrekullish e grekët kërkojnë dije, ne, përkundrazi, predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenj e marri për paganë. (1 Kor 1,18-23).

 
Bashkësitë e para të krishtera, të cilave u drejtohet Pali, e dinë fare mirë se Jezusi tashmë është i ngjallur e i gjallë: Apostulli dëshiron t’u kujtojë jo vetëm Korintianëve ose Galatasve, por ne të gjithëve, se i Ngjalluri është gjithnjë Ai, që u kryqëzua. ‘Shkandulli’ e ‘marria ’ e Kryqit qëndrojnë në faktin se, atje ku duket se ka vetëm dështim, dhimbje, disfatë, pikërisht atje është e gjithë fuqia e dashurisë së pakufishme të Hyjit, sepse Kryqi është shprehje e dashurisë, e dashuria është fuqia e vërtetë, që zbulohet pikërisht në atë, që duket si dobësi.
Për judenjtë Kryqi është skandalon, dmth kurth ose pengesë: ai duket se e pengon fenë e izraelitit të përshpirtshëm, për të cilin është tepër e vështirë të gjejë diçka të përafërt në Shkrimin Shenjt. Pali, me shumë guxim, duket sikur thotë se këtu vihet në lojë diçka tepër e madhe: për judenjtë, kryqi i kundërvihet vetë natyrës së Hyjit, i cili është dukur me shenja të mrekullueshme. Prandaj, ta pranosh kryqin e Krishtit, do të thotë të bësh një kthesë të thellë në mënyrën e lidhjes me Zotin. Në se për judenjtë shkaku i mospranimit të kryqit është Zbulesa, dmth besnikëria ndaj Hyjit të Etërve, për grekët, dmth për paganët, kriteri i gjykimit për t’iu kundërvënë Kryqit, është arsyeja. Për këta të fundit, Kryqi është ngordhje, marri, shpëlarësi, gjellë pa kripë, prej këndej, më shumë se gabim, është fyerje që i bëhet gjykimit të shëndoshë.

Kështu, në më se një rast, Pali provon përvojën e hidhur të mospranimit të misterit të krishterë, i cili gjykohet si pa shije, pa pikë vlere, i padenjë për t’u përfillur nga arsyeja. Për ata që, si grekët, e shikonin përsosurinë në shpirt, në mendimin e pastër, ishte krejt e papranueshme që Hyji të bëhej njeri, duke hyrë në të gjithë shtrirjen e hapësirës e të kohës. E ishte edhe më e pakonceptueshme, pastaj, që një Zot të përfundonte në kryq! E ne shikojmë se kjo logjikë greke është edhe logjika e zakonshme e kohës sonë. Si mundej koncepti apátheia, indiferenca, si mungesë e pasioneve në Hyjin, ta kuptonte një Zot që u bë njeri e u mposht e që pastaj u mishërua rishtas, për të jetuar si i ringjallur? “Do të të dëgjojmë një herë tjetër mbi këtë gjë”(Vap 17,32), i thanë mospërfillshëm athinasit Palit, kur e dëgjuan duke folur për të ngjallur prej të vdekurve. E shikonin si shenjë përsosurie çlirimin nga korpi, i konceptuar si burg; si mund të mos konsiderohej, atëherë, si marri ringjallja e korpit? Dukej se në kulturën e lashtë nuk kishte vend për mesazhin e Hyjit të mishëruar. Gjithë historia e ‘Jezusit të Nazaretit’ u dukej krejtësisht pa kripë, e Kryqi natyrisht, ishte pika më emblematike.

Pse atëherë Shën Pali pikërisht këtë, fjalën e Kryqit, e vuri në themel të predikimit të tij? Përgjigjja nuk është e vështirë: Kryqi na zbulon ‘fuqinë e Hyjit’(cfr. Kor 1,24), që ndryshon nga fuqia njerëzore; na zbulon dashurinë e tij, sepse: “Çka është marri për Hyjin, është urti për njerëzit; e çka për Hyjin është ligështi, për njerëzit është më e madhja fuqi”. (v.25). Shumë shekuj pas Palit, ne shikojmë se në histori fitoi Kryqi, e jo dija që iu kundërvu Kryqit. I Kryqëzuari është dije, sepse tregon me të vërtetë se kush është Zoti, dmth fuqia e dashurisë, që arrin deri në kryq për të shpëtuar njeriun. Zoti përdor mënyra e mjete që ne, në shikimin e parë, mund të na duken si dobësia e tij. I Kryqëzuari zbulon nga njëra anë dobësinë e njeriut e, nga ana tjeter, fuqinë e vërtetë të Hyjit, dmth dashurinë pa kurrfarë interesi: e pikërisht kjo dashuri, që i dhurohet njeriut falas, është dija e vërtetë. E këtë Pali e provoi në trupin e vet e na e dëshmon në çaste të ndryshme të rrugës së tij shpirtërore, që u bënë pika të sakta referimi për çdo dishepull të Krishtit: “Ai më tha: të mjafton hiri im; e njëmend, fuqia ime dëftohet plotësisht në ligështí” (2 Kor 12,9). E akoma: “Hyji ka zgjedhur të ligshtit, për të përulur të fortit” (1 Kor 1,28). Apostulli njëjtësohet deri në atë pikë me Krishtitn, sa edhe ai, ndonëse në mes të provave të shumta, jeton në fenë e Birit të Hyjit, që e deshi e flijoi vetveten për mëkatet e tij e për ata të të gjithëve (cfr Gal 1,4; 2,20). Kjo e dhënë autobiografike e Apostullit, bëhet paradigmatike për ne të gjithë.

Shën Pali na jep një sintezë mahnitëse të teologjisë së Kryqit në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve (5,14-21), ku gjithçka përmblidhet në dy pohime themelore: nga njëra anë Krishti, që s’njihte mëkat e që Hyji e gjykoi porsi mëkatnor për hatër tonë (v.21) vdiq për të gjithë (v.14); e nga ana tjeter, Hyji na pajtoi me vete, duke na besuar ne fjalën e pajtimit e duke mos na i numëruar fajet tona. (vv. 18-20). E pikërisht nga ky ‘shërbim pajtimi’ çdo skllavëri tashmë është shpërblyer (cfr 1 Kor 6,20; 7,23). Këtu duket qartë sa vlen gjithë kjo edhe për jetën tonë. Edhe ne duhet të bëjmë pjesë në këtë ‘shërbim pajtimi’, që kërkon gjithnjë heqjen dorë nga epërsia jonë e zgjedhjen e marrisë së dashurisë. Shën Pali hoqi dorë nga jeta e tij, duke ia kushtuar plotësisht vetveten shërbimit të pajtimit, të Kryqit, që është shëlbim për ne të gjithë. E këtë duhet të bëjmë edhe ne: mund ta gjemë forcën në përvujtërinë e dashurisë e dijen, në dobësinë e vetmohimit, për të hyrë kështu në fuqinë e Zotit. Ne të gjithë duhet ta formojmë jetën tonë mbi këtë dije të vërtetë: të mos jetojmë për vetveten, por të jetojmë me besim në atë Zot, për të cilin mund të themi: “Më deshi e flijoi jetën për mua!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.