2008-10-31 17:43:38

Papa, Akademisë Papnore të Shkencave: “Kozmosi, i themeluar nga Krijuesi, nuk është kaotik e shkenca mund ta studiojë sipas ligjeve që e rregullojnë.


(31.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Kozmosi nuk është sistem kaotik, por i rregullt, e në ligjet e tij të brendshme mund të lexohet prania e Krijuesit, edhe në sajë të kontributit e të zhvillimit të vazhdueshëm të shkencës”. Kjo është sinteza e fjalimit që Benedikti XVI u drejtoi sot pjesëmarrësve në takimin plenar të Akademisë Papnore të Shkencave, mbledhur këto ditë në Vatikan për të diskutuar mbi arritjet e reja të kërkimeve shkencore lidhur me origjinën dhe evolucionin e universit, të materies e të jetës.
Të pohosh se themelimi i kozmosit dhe zhvillimi i tij janë fryt i ‘dijes universale’, nuk do të thotë se krijimi ka të bëjë vetëm me fillimin e historisë së botës e të jetës. Ky themelim ka të bëjë me Krijuesin, që i përfton këto zhvillime e i mbështet vazhdimisht. E ky është edhe një nga fragmentet-kyçe të fjalimit të thellë, që Benedikti XVI u drejtoi shkencëtarëve, të cilët u pritën sot në Vatikan. “Teoritë e ndryshme shkencore mbi evolucionin e universit dhe të jetës”, tema e mbledhjes plenare të Akademisë Papnore të Shkencave, është argument me interes të madh – vërejti në fillim Papa - sepse shumë nga bashkëkohësit tanë reflektojnë për zanafillën e qenieve të gjalla, për vijimin e jetës së tyre e për fundin e tyre, si dhe për kuptimin e historisë së njerëzimit e të universit.

“Në këtë kontekst, natyrisht lindin pyetje, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet leximit shkencor të botës dhe leximit që ofron Zbulesa e krishterë. Paraardhësit e mi, Piu XII e Gjon Pali II, vërejtën se nuk ka kurrfarë kundërshtimi ndërmjet kuptimit të krijimit që jep feja, e provës që japin shkencat empirike”.

 
Në se në fazën fillestare - tha Papa – filozofia propozoi një ide, të cilën mund ta quajmë ‘horizontale’, të origjinës së kozmosit, bazuar mbi një ose disa elemente të botës materiale, kuptimi i mëtejshëm metafizik i qenies, si e tillë, i krijoi njeriut mundësinë të arrinte me intuitë në përfundimin se bota, duke qenë e krijuar, vjen nga Krijuesi. Papa citoi për këtë Tomën e Akuinit, i cili pohon se krijimi nuk është as lëvizje e as ndryshim, por përcaktohet nga marrëdhëniet themelore e të vijueshme që lidhin krijesën me Krijuesin, sepse ai është shkaku i çdo qenieje e i çdo shndërrimi.Në këndvështrimin e fesë, të lexosh evolucionin, larg çdo rreziku për ta parë si kaos- është si të lexosh një libër, sipas krahasimit që u pëlqen aq shumë shkencëtarëve, duke përfshirë edhe Galileon. Një libër – theksoi Benedikti XVI - historinë e të cilit, të shkruarit e të cilit e kuptimin e të cilit ne e ‘lexojmë’ mbi bazën e teorive të ndryshme shkencore:

“Pavarësisht nga elementet irracionale, kaotike e shkatërrimtare që vërehen gjatë procesit të ndryshimeve të kozmosit, materia, si e tillë, është ‘e lexueshme’. Është një ndërtim i brendshëm ‘matematik’. Mendja njerëzore mund të merret jo vetëm me ‘kozmografinë’, duke studiuar fenomenet e matshme, por edhe me ‘kozmologjinë’, dmth duke hyrë në logjikën e brendshme të dukshme të kozmosit”.

 
Papa e përfundoi fjalimin e tij me këto fjalë të Gjon Palit II, shqiptuar në vitin 2003: “E vërteta shkencore, që për vetë natyrën e saj është pjesëmarrje në të vërtetën hyjnore, mund t’i ndihmojë filozofinë dhe teologjinë të kuptojnë në mënyrë më të plotë njeriun dhe Zbulesën e Hyjit mbi njeriun, një zbulesë që u plotësua e u përsos në Jezu Krishtin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.