2008-10-31 18:23:32

Deklarata përfundimtare e konferencës islamo-kristiane (pjesa II)


(31.10.2008 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues, përfundojmë sot ciklin e emisioneve kushtuar reflektimeve të konferencës islamo-kristiane që u mbajt në Bruksel nga 20 deri më 23 tetor. Dje ju njohëm me pjesën e parë të deklaratës përfundimtare e sot do të vazhdojmë me pjesën tjetër të saj. Pjesëmarrësit në takimin, e organizuar nga Komiteti për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, morën përsipër një sërë impenjimesh, që po jua paraqesim:
Si të krishterë e myslimanë, konfirmojmë para së gjithash, dëshminë në favor të feve e traditave tona. Jemi gati të dëshmojmë se njeriu e zbulon identitetin e vet përmes marrëdhënieve me Zotin. Kjo na bën të ripohojmë rëndësinë e jashtëzakonshme dhe rolin jetësor të familjes, të dinjitetit njerëzor, të drejtësisë shoqërore, të kujdesit ndaj ambientit. Kjo duhet të përjashtojë edhe çdo lloj përdorimi të dhunës në emër të fesë. Refuzojmë gjithashtu, të gjitha format e laicizmit militant, që krijon diskriminime ndërmjet qytetarëve dhe nuk u lë hapësirë fesë e praktikave fetare. Duhet të përkrahim jo vetëm qëndrimin aktiv të bashkësisë fetare në kontekstin shoqëror, por edhe vokacionin e përbashkët për të jetuar sipas Fjalës së Zotit.
Si myslimanë e të krishterë, kërkojmë, në kuadrin e njohjes së ndërsjelltë, hapjen e xhamive e të kishave për vizitorët e bashkësive të tjera, duke promovuar njohjen përmes vetë personave. Kjo kërkon takime ndërmjet studiuesve dhe marrëdhënie akademike. Kemi nevojë të hyjmë në shpirtin e feve, ashtu si të kuptojmë shfaqjen e tyre të jashtme. Impenjohemi të shmangim çdo përgjithësim ndaj tjetrit.
Të drejtat e njeriut janë universale dhe përfshijnë të drejtën e lirisë fetare. Urojmë që të krishterët e myslimanët në Evropë, të bashkëpunojnë për promovimin e kësaj së drejte themelore. Solidariteti ndaj atyre që vuajnë, brenda e jashtë Evropës, duhet inkurajuar e, aty ku është e mundur, duhet ofruar ndërmjetësim.
Identiteti përbëhet nga shumë fije, e feja është njëra prej tyre. Forca e një litari varet nga shumë fije të ndërthurura mes tyre e ky imazh i shkon edhe identitetit tonë si evropianë e si qytetarë të vendeve të veçanta, si edhe trashëgimisë sonë etnike e kulturore. Duhet të ndërtojmë ura për t’i afruar fetë e kulturat.
Dëshira jonë për brezat e ardhshëm është të jetojnë në paqe e në harmoni, në kontekstin e larmisë sonë fetare, e të impenjohen ta përmirësojnë shoqërinë. Dialogu ndërfetar duhet të fillojë në rini e në ambiente ku fëmijët e të rinjtë mund të takohen e të njohin ndryshimet, në bankat e shkollës e në auditoriumet e universiteteve, si edhe brenda bashkësive fetare. Kjo kërkon projekte të veçanta në nivel lokal.
Si pjesëmarrës, impenjohemi ta komunikojmë përmbajtjen e këtij dokumenti brenda bashkësive dhe strukturave dhe të inkurajojmë zbatimin e tij konkret në nivel lokal e kombëtar. Rekomandojmë organizimin e një konference të ardhshme, mundësisht brenda dy vjetëve, që të vlerësojë përparimet e bëra në këtë ndërmarrje të vështirë e të gjejë tematika të mëtejshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.