2008-10-31 17:43:51

Benedikti XVI priti Presidentin e Libanit, Sleiman


(31.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI priti në audiencë presidentin e Republikës libaneze, gjeneralin Mishel Sleiman, i cili më pas u takua edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri libanez i punëve të jashtme dhe i emigrantëve, Favzi Salluk si dhe kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet. Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton Salla vatikanase e Shtypit – u ripohua interesimi i Selisë së Shenjtë për Libanin dhe impenjimi i saj i vazhdueshëm për ruajtjen e identitetit të tij të posaçëm. U vlerësuan shumë përpjekjet që po bën vendi dhe liderët e tij për ta vënë përsëri jetën institucionale në binarët e dialektikës normale politike, në mënyrë që çdo anëtar i popullit libanez të japë kontributin e tij për të mirën e përbashkët e të shikojë se merren parasysh edhe shqetësimet e shpresat e tij. U fol edhe për situatën delikate të zonës, duke uruar të gjindet një rrugëzgjidhje e shpejtë për çështjen palestineze e duke prekur edhe kushtet e problemet e bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.