Atë Gjon Pantalia S. J., në 61 vjetorin e martirizimit.
(31.10.2008 RV)Gjon Pantalia lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje
të thjeshtë. Ishte kushëri i nënë Terezës nga ana e s’ëmës. Fëmijërinë e rininë
e parë i kaloi duke punuar si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, sapo i
kishte mbushur 19 vjetët, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Noviciatin e bëri në Itali
e pikërisht në Soresina, në provincën e Kremonës. Ndonëse eprorët shprehën dëshirën
që t’i vijonte studimet për t’u bërë meshtar, Gjoni deshi të mbetej thjeshtë vëlla-ndihmës,
që në Shqipëri njihej me emrin lajk ose fratel. E, si ndodh shpesh që më të fundmit
bëhen pikëmbështetje për të gjithë bashkësinë në të cilën jetojnë, Fratel Gjoni u
bë frymëzues i të gjitha veprimtarive shoqërore e kulturore të Kolegjit, njeri-kyç
i Institutit të Jezuitëve të Shkodrës, që kishte emrin e Françesk Saverit e që u bë
fidanishte e meshtarëve, avoketërve, politikanëve e mësuesve të ardhshëm. Kishte
një mori detyrash: profesor, këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror.
Shpëtoi nga arrestimi shumë nga nxënësit e tij shqiptarë, që kërkoheshin në fillim
nga ushtritë pushtuese italiane e më pas nga ato gjermane. U përpoq, ndonëse
tepër i mbikqyrur, të shpëtonte objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avoketër
që pranonin të mbronin meshtarët e arrestuar gjatë persekutimit të mëpasëm komunist,
i cili që nga viti 1945 vuri në shënjestër gjithë bashkësinë katolike e sidomos jezuitët.
Po ai s’u tremb: përkundrazi. Bëri çmos që veprimtaritë shkollore të vijonin
sa më mirë që të ishte e mundur, duke acaruar kështu edhe më keq regjimin e kuq e
ateist. Ky acarim kundër tij arriti kulmin pas arrestimit të Atë Gjon Faustit dhe
të rektorit të Kolegjit, Atë Daniel Dajanit, sepse në këtë periudhë, më shumë se kurrë,
frateli mbeti përgjegjës moral i Shoqërisë së Jezuitëve në Shqipëri. Për të shmangur
reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin e vitit 1946. U torturua mizorisht. E rrahën,
e munduan me korrent elektrik, i ngulën spica druri të ndezura ndër thonj: provuan
mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve të torturës shpikur nga sigurimi famëkeq
i shtetit diktatorial. Pastaj e mbyllën në kuvendin françeskan të Gjuhadolit, shndërruar
në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me Kishën, por ai nuk qe më në gjendje as të gëzohej
për këtë, sepse i shkatërruar fizikisht nga torturat.Pavarësisht nga kjo gjendje,
provoi të ikte por, i ligësht siç ishte, gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ra nga
dritarja dhe theu të dyja këmbët: e lanë të vuante pa u kujdesur fare për të. Ditët
e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh çnjerëzore, deri sa i mbylli sytë si martir
më 31 tetor 1947. Që atëherë nuk kanë kaluar qindra vjet e Fratel Gjoni nuk u martirizua
në amfiteatrot e lashtësisë. Kanë kaluar vetëm 61 vjet e ndoshta-ndoshta janë endè
gjallë ata që ngritën amfiteatrot moderne, duke u bërë shkaktarë për ta radhitur në
radhët e lumnueshme të martirëve - Jezuitin shqiptar, Vëlla Gjon Pantalinë, emrin
e të cilit sot mund ta gjesh në shumë enciklopedi, në atë të shenjtorëve sidomos.