2008-10-30 16:33:25

“Liria e rreme ka bërë që qenia njerëzore të ecë mbrapa”. Kështu tha Ati Shenjtë gjatë dorëzimit të letrave kredenciale të ambasadores së re kanadeze në Vatikan.


(30.10.2008 RV) RealAudioMP3 Procesi i shekullarizimit në botë sot rrezikon që të humbasim vlerat themelore pa të cilat shoqëria nuk mund të mbijetojë. Këtë pohoi sot Ati i Shenjtë në fjalën drejtuar ambasadores së re së Kanadasë pranë Selisë Shenjte, e cila paraqiti letrat kredenciale. “Katolicizmi – kujtoi Papa – përfaqëson pikën kyçe që mban në ajër kupolën e shoqërisë kanadeze. Sidoqoftë në ditët tona ka ndryshime rrënjësore që vijojnë.” Shenjat e këtij evolucioni – theksoi Ati i Shenjtë janë të dallueshme në fusha të ndryshme dhe herë-herë janë shqetësuese sa të bëjnë të pyesësh se mos duan të thonë se kemi të bëjmë me një kthim mbrapa në konceptimin e qenies njerëzore” veçanërisht përsa i përket “mbrojtjes dhe nxitjes së jetës dhe të familjes së bazuar tek martesa e natyrshme.” Që këndej edhe urimi për “një kulturë jete” që të ujisë përsëri ekzistencën individuale dhe shoqërore kanadeze”.
Më pas Papa nënvizoi nevojën për të “përkufizuar kuptimin e ushtrimit të lirive” aq shpesh të përmendur për të justifikuar disa kapërcime.” Gjithnjë e më shumë, vuri në dukje Papa “ushtrimi i lirive perceptohet si një vlerë absolute, një e drejtë e pacenueshme e individit, duke injoruar krejtësisht origjinën hyjnore të lirisë” dhe përmasat e saja shoqërore.
Një interpretim ky sipas të cilit, vetë individi mund të përcaktojë “karakteristikat dhe synimin përfundimtar të jetës, të vdekjes e të martesës.”
“Liria e vërtetë - theksoi Papa Racinger - është e themeluar dhe zhvillohet në sajë të Zotit” dhe ushtrimi i saj “kërkon që t’i referohemi ligjit moral të natyrshëm.” i cili u paraprin dhe bashkon të gjitha të drejtat dhe detyrat. Që këndej edhe mbështetja për nismat e ipeshkvijve kanadezë në favor të familjes dhe të dinjitetit të individit.
Për Benediktin XVI “sigurimi i formimit fetar të fëmijëve (edhe nëpërmes shkollës katolike) është një e drejtë e pamohueshme e prindërve” dhe ky formim “është një burim themelor për një arsimim të vërtetë. “Duke kontribuar në përçimin e fesë” dhe duke përgatitur të rinjtë “për një dialog ndërmjet komponentëve të ndryshëm të shoqërisë” përfundoi Ati i Shenjtë – shkollat katolike realizojnë misionin e Kishës dhe “pasurojnë të gjithë shoqërinë kanadeze.”







All the contents on this site are copyrighted ©.