2008-10-30 16:13:53

Sekretari i ipeshkvijve indianë: “Të krishterët e Orisës duan vetëm të kthehen në jetën normale, në harmoni e paqe me të gjithë”.


(30.10.2008 RV)“Nuk kërkojnë privilegje, por vetëm mundësi e të drejta të barabarta, të garantuara për të gjithë nënshtetasit indianë: të krishterët e Orisës nuk mendojnë të marrin hak, duan vetëm të kthehen në jetën normale, në harmoni e paqe me të gjithë. Këtë pohon sekretari i ipeshkvijve indianë, Stanislaus Fernandes, në një intervistë dhënë Agjensisë ‘Fides’. “Kisha – shpjegon sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore indiane – kërkon vetëm që të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare në Indi, t’u respektohen të drejtat e garantuara nga Kushtetuta, duke i zbatuar me frymën e vërtetësisë e të drejtësisë. Pakica e krishterë – vijon ipeshkvi - ka dhënë gjithnjë kontributin e vet për të mirën e përbashkët kombëtare. E do të vijojmë ta luajmë rolin tonë deri në frymën e fundit, sipas shembullit të Zotit tonë Jezu Krisht.Pyetjes ‘si do të reagojnë liderët civilë e fetarë indianë kundër dhunës’, imzot Fernandes iu përgjigj me fjalët e kryeministrit indian, i cili i quajti ngjarjet e Orisës ‘turp kombëtar’. Ndërsa ministri i brendshëm, në një fjalim mbajtur kohët e fundit, premtoi një ligj të posaçëm, për të parandaluar dhunën sektare e ndërkomunitare. Ne të gjithë shpresojmë – komentoi prelati – se ndërgjegjja kolektive do të zgjohet nga britmat e nënave e vaji i fëmijëve të ikur nëpër pyje ose të strehuar në kampet e refugjatëve në Orisë. Duhet që ata, të cilët i kanë nxitur shpirtrat për të ushtruar dhunën, të rifitojnë frymën e paqes e të harmonisë, me bindjen se fushata e ushtrimit të dhunës kundër të krishterëve në Orisë, nuk mund të shlyhet menjëherë: kërkon kthimin e zemrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.