2008-10-30 16:37:01

Në takimin me Jewish Committee, Papa thekson marrëdhëniet e mira dhe respektimin e ndërsjelltë.


(30.10.2008 RV)RealAudioMP3 Ati i Shenjtë Benedikti XVI priti sot në audiencë në Vatikan një delegacion të International Jewish Committee – Komiteti Ndërkombtar Hebraik. Gjatë takimit Benedikti XVI vlerësoi “tridhjetë e më shumë vitet” e “kontakteve të frytshme e të rregullta” ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Gjithashtu Ati i Shenjtë ripohoi perspektivën e deklaratës së Koncilit II Vatikanas “Nostra Aetate” në të cilën dënohen antisemitizmi dhe antijudaizmi si edhe pohoi rrënjët hebraike të krishterimit. Dialogu, nënvizoi Papa Ranciger, kërkon “respektimin e dallimeve” si edhe njohjen e anasjelltë të “identiteve” dhe të “dhantive” të secilit.
“Të krishterët janë sot gjithnjë e më tepër të ndërgjegjshëm për trashëgiminë shpirtërore që bashkëndajnë me popullin e Torahit, me popullin e zgjedhur nga Hyji nga mëshira e Tij e pashprehshme, një pronë që kërkon një vlerësim të ndërsjellët, respekt dhe dashuri” tha Ati Shenjtë.
“Nga ana tjetër – vuri në dukje Benedikti XVI – “edhe hebrenjtë janë të thirrur për të zbuluar atë çka kanë të përbashkët me ata që besojnë në Tenzonë, në “Hyjin e Izraelit” që na u zbulua nëpërmjet fjalës, që siç thotë psalmisti, është dritë për rrugëtimin tonë dhe na dhuron një jetë të re. “Kjo fjalë – shtoi Papa– na shtyn të japin një dëshmi të përbashkët për mëshirën, të vërtetën dhe dashurinë e Zotit”. Bëhet fjalë për “një shërbim me rëndësi jetësore, i kërcënuar në kohën tonë, - tha Ati i Shenjtë, - nga humbja e vlerave morale dhe shpirtnore që garantojnë dinjitetin njerëzor, solidaritetin, drejtësinë dhe paqen.”
“Por një dialog i sinqertë - vijoi Ati i Shenjtë, - kërkon qoftë një hapje qoftë një sens më të saktë të identitetit të secilit, në mënyrë që të pasurohemi reciprokisht nga njëri-tjetri.”
Ndërsa rabini David Rozen, kryetar i këtij komitetit në përshëndetjen e vet falënderoi Selinë Shenjtë për impenjimin e saj kundër çdo forme të antisemitizmit. Më pas shprehu gëzimin për sqarimet që i janë dhënë në lidhje me ndryshimin e lutjes për hebrenjtë në Liturgjinë e së Premtes së Madhe.
Gjithashtu rabini Rozen përsëriti kërkesën për lejimin e studiuesve që të hyjnë në arkivat e Vatikanit për të shqyrtuar dokumentet e periudhës nazifashiste. Në fund ai shprehu edhe solidaritetin e tij kundër dhunës antikristiane në Indi, Irak dhe në Azinë juglindore.
Por në lidhje me kërkesën e përsëritur për hapjen e arkivave vatikanase le të dëgjojmë një shënim të drejtorit të radios sonë Atë Federiko Lombardi:
“Përsa i përket kërkesave të përsëritura për hapjen e arkivave vatikanase duhen mbajtur parasysh këto gjëra. Kërkesa është në vetvete e kuptueshme dhe e justifikuar nga pikëpamja e metodologjisë të studimeve historike. Sidoqoftë duhet kuptuar mirë se çfarë nënkupton kjo. Hapja e Arkivit Sekret të Vatikanit për studiuesit ka filluar me Leonin XIII në 1881 dhe ka vazhduar nga pasardhësit e tij. Parimi i ndjekur zakonisht është ai që studiuesve iu hapen dokumentet papni mbas papnie dhe jo në bazë të një periudhe të caktuar kohore (psh 50, 70 apo 90 vjet) siç ndodh me arkivat e tjera, mbasi vetë Arkivi nuk është i strukturuar sipas një skeme thjeshtë kronologjike, por pikërisht simbas “papnive”. Deri tani hapja ka arritur deri tek papnia e Piut XI, pra deri më 1939, hapja e arkivave për studiuesit kërkon një punë të veçantë për përgatitjen dhe dokumentimin që do të thotë: përshkrim i vendndodhjeve të ndryshme (protokolle, fashikuj, dosje), numërim të fletëve, vulosje e çdo flete, lidhje e fashikujve me letrat më të dëmtuara etj. Puna e katalogimit dhe e renditjes është e gjatë e kërkon durim, e personeli i specializuar është i kufizuar. Prandaj kjo gjë kërkon kohë. Fondet e arkivave të papnisë së Piut XII në të cilat po punohet aktualisht u përkasin tre grupeve: 1. arkivat e përfaqësive papnore; 2. arkivat e Sekretarisë së Shtetit; 3. arkivat e Kongregacioneve romake dhe Zyra të tjera. Numri i përgjithshëm i fletëve arrin në 16 milion në mos më tepër. Dosjet që duhen përgatitur janë 15.430 ndërsa fashikujt janë 2500. Prefekti i Arkivit Sekret Imzot Serxho Pagano ka thënë kohët e fundit se me forcat që janë aktualisht bëhet fjalë për një kohë që shkon nga gjashtë deri në shtatë vjet. Pastaj, pasi të jetë kryer puna e renditjes, meqë Arkivi Sekret është Arkivi i Atit të Shenjtë, vendimi përfundimtar për hapjen e arkvit i përket vetë Atit të Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.