2008-10-30 17:22:21

"Dituria e kryqit" dhe "dituria e kësaj bote" në reflektimin e Papës Benedikti XVI në Meshën me universitarët e ateneve papnorë.


(30.10.2008 RV)Shën Pali dhe “dituria e Kryqit” në qendër të përshëndetjes, që Papa Benedikti XVI u drejtoi sot studentëve të Universiteteve Papnore të Romës, të cilët kremtuan në Bazilikën e Vatikanit, fillimin e vitit akademik.
Pasdite, në orën 17.30, studentët dhe pedagogët morën pjesë në Meshën Shenjte të kryesuar nga kardinali Zenon Groçolevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik. Në përfundim të Meshës, Ati i Shenjtë zbriti në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’u takuar me pjesëmarrësit, për t’u drejtuar atyre përshëndetjen e vet dhe për t’u dhënë Bekimin Apostolik.
Duke marrë shkas nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve, Papa Racinger u propozoi studentëve dhe profesorëve të Universiteteve Papnore, një reflektim mbi dy llojet e diturisë në këtë botë: “dituria e Kryqit” dhe “dituria e botës”, që në të vërtetë, për apostullin e popujve, është “marrëzi”:
“Kjo kundërvënie ndërmjet dy diturive – tha Papa – nuk duhet kuptuar me ndryshimin ndërmjet teologjisë, nga njëra anë, dhe filozofisë e shkencave, nga ana tjetër. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me dy qëndrime themelore. “Dituria e kësaj bote” është një mënyrë të jetuari e së shikuari të gjërave, pavarësisht nga Zoti e duke ndjekur opinionet mbizotëruese, sipas kritereve të suksesit e të pushtetit. “Dituria hyjnore” do të thotë ta ndjekësh me mend Krishtin – është Krishti që na hap sytë e zemrës për të shkuar në rrugën e së vërtetës e të dashurisë”.
Ati i Shenjtë theksoi se për të kuptuar gjërat shpirtërore, që na imponon “dituria e Kryqit”, duhet të jemi të përshpirtshëm, pasi nëse jo, pavarësisht sa “të ditur” bëhemi përmes studimit e arësyetimit të kësaj bote, pa shpirtin kjo dituri mbetet “marrëzi”. Papa Racinger kujtoi më pas, se gjithnjë në Letrën e parë drejtuar Korintasve, Shën Pali kërkon që të krishterët të bëhen “të marrë” për të qenë vërtet të ditur para Zotit. Nuk është një arësyetim kundër diturisë së kësaj bote, shpjegoi Papa:
“Pali – duke ndjekur Jezusin – është kundër asaj mendjemadhësie intelektuale, në të cilën njeriu, pavarësisht se di shumë, humb ndjeshmërinë për të vërtetën e gatishmërinë për t’ia hapur zemrën ndikimit hyjnor... Apostulli pra, denoncon helmin e diturisë së rreme, që është krenaria njerëzore. Në fakt, nuk është dituria në vetvete që bën keq, por mendjemadhësia, “mburrja” për atë që kemi arritur – ose që na duket se kemi arritur – të njohim”.
Ai që na shpëton nga dituria e rreme e kësaj bote është pa dyshim “mendimi i Krishtit”, tha Benedikti XVI, të cilin e njohim përmes Kishës e në Kishë, duke e lëshuar veten në lumin e traditës së saj të gjallë. Duke i qëndruar besnikë atij Jezusi, që na ofron Shën Maria, Seli e Dijes se Atit, mund të impenjohemi intensivisht në punën intelektuale, të lirë nga tundimi i krenarisë e duke u lavdëruar gjithnjë e vetëm në Zotin. Në përfundim, Papa kërkoi për studentët e pedagogët e universiteteve papnore të Romës mbrojtjen e Shën Marisë, Sede Sapientiae (Seli e Dijes), ikona e së cilës është simbol i botës universitare, dhe atë të Shën Palit Apostull, duke u dhënë të gjithëve Bekimin e tij Apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.