2008-10-29 12:52:13

Krishti i ngjallur - në qendër të planit shëlbues të Hyjit për njeriun.


(22.10.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,
në katekizmat e javëve të kaluara medituam mbi ‘shndërrimin’ e Shën Palit, fryt i takimit personal me Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur dhe shpjeguam lidhjet e Apostullit me Jezusin tokësor. Sot dëshiroj të flas për mësimin që na la Shën Pali mbi Krishtin e ngjallur, qendër në misterin e shëlbimit, për kristologjinë e tij. Në të vërtetë Krishti i ngjallur “të cilin Hyji e lartoi e i dha një emër, që është mbi çdo emër tjetër”, mbetet gjithnjë në qendër të reflektimit të tij. Për Apostullin, Krishti është kriteri i vlerësimit të ngarjeve e të sendeve, caku i çdo përpjekjeje që bën për të kumtuar Ungjillin, pasioni i madh, që u jep forcë hapave të tij nëpër rrugët e botës. E është fjala për Krishtin e gjallë, konkret: Krishtin – thotë Pali – “që më deshi e flijoi veteveten për mua” (Gal 2,20) . Ky Krisht që më do, me të cilin mund të flas, që më dëgjon e më jep përgjigje, ky është realisht fillesa prej nga duhet të nisemi, për të gjetur rrugën e vërtetë në histori.
Kush i ka lexuar shkrimet e Shën Palit, e di se ai nuk merret me faktet e veçanta të jetës së Krishtit, ndonëse mund të mendojmë se në katekizmat e tij duhet të ketë folur shumë më tepër për Jezusin para Pashkëve, sesa shkruan në Letrat, të cilat janë këshillime në situata të caktuara. Qëllimi i tij kryesor baritor e teologjik synonte aq shumë në përforcimin e bashkësive në fasha, sa ishte e natyrshme që ta përqendronte gjithçka në kumtimin e Jezu Krishtit si ‘Zot’, që është i gjallë e i pranishëm në mes të vëllezërve të vet e nxënësve të vet. Që këtu, karakteristika themelore e kristologjisë së Shën Palit, që zhvillon thellësitë e misterit me një shqetësim të përhershëm e të përpiktë: duhet kumtuar, sigurisht, Jezusi i gjallë, mësimi i Tij, por mbi të gjitha, duhet kumtuar realiteti qendror i vdekjes e i ngjalljes së Tij, si kulm i jetës së Tij tokësore e rrënjë e zhvillimit të mëtejshëm të të gjithë fesë së krishterë, të të gjithë realitetit të Kishës.
Për Apostullin, ngjallja nuk është ngjarje në vetvete, e shkëputur nga vdekja; i Ngjalluri është gjithnjë ai, që më parë u kryqëzua. Edhe i ngjallur, i ka të hapura plagët, shenjat e Mundimeve, e mund të themi me Paskalin, se ai vuan deri në fund të fundit të botës, ndonëse është i gjallë e jeton në ne e për ne. Që Krishti i Ngjallur ishte edhe i Kryqëzuari, Pali e kuptoi në takimin me Të rrugës së Damaskut: në atë çast iu zbulua me qartësi se i Kryqëzuari është i Ngjalluri e i Ngjalluri është i Kryqëzuari, që i thotë Palit: “Pse po më salvon?” (At 9,4). Pali persekuton Krishtin në Kishë, e atëhere kupton se kryqi nuk është ‘mallkim i Hyjit’, (Dt 21,23) por flijim për shëlbimin tonë.

Apostulli kundron i mahnitur të fshehtën e të Kryqëzuarit-të ngjallur e, përmes vuajtjeve që pëson Krishti në korpin e tij (përmasë tokësore) arrin tek burimi i asaj jete të amshua, në të cilën Ai është një gjë e vetme me Atin (përmasë para-kohore): “Kur erdhi koha e caktuar – shkruan ai - Hyji dërgoi Birin e vet të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit e që ne ta fitonim bijësinë në shpirt” (Gal 4,4-5). Këto dy përmasa, paraekzitenca e amshuar pranë Atit e zbritja e Zotit përmes mishërimit, kumtohen që në Besëlidhjen e Vjetër, në figurën e Urtisë. Në Librat sapiencialë të Besëlidhjes së Vjetër gjejmë disa tekste, që e lartojnë rolin e Urtisë, e cila ekzistonte që para krijimit të botës. Me këtë sy duhen lexuar fragmente si ky i Psalmit 90: “Para se të lindin malet, para se të bëhej toka e rruzulli, prej amshimit të amshimit ti je Hyj” (v.2): ose fragmente si ky, që flet për Urtinë krijuese: “Zoti më krijoi si fillesë e udhëve të veta, përpara çdo vepre të tij, që në zanafillë. U shugurova para amshimit, që në kohët e lashta, para se të krijohej toka” (Fu 8,22-23). Prekës edhe lavdërimi i Urtisë në Librin me të njëjtin emër: “Urtia shtrihet skaj më skaj botës e e drejton mrekullisht rruzullimin” (Ur 8,1).

Të njëjtat tekste sapienciale, që flasin për paraekzistencën e amshuar të Urtisë, flasin edhe për zbritjen e saj, për përuljen e kësaj Urtie, që e nguli çadrën ndërmjet njerëzve. Kështu dëgjojmë jehonën e fjalëve të Ungjillit të Gjonit, që flet për çadrën e korpit të Zotit. U krijua çadra e Besëlidhjes së Vjetër: këtu është tempulli, kulti sipas ‘Thorà”; por në këndvështrimin e Besëlidhjes së Re mund të kuptojmë se kjo ishte vetëm shembëlltyrë e një çadre shumë më reale e më kuptimplote: çadrës së korpit të Krishtit. E shikojmë që në Librat e Besëlidhjes së Vjetër se kjo përulje e Urtisë, zbritja e saj përmes mishërimit, krijon edhe mundësinë që ajo të mos pranohet. Shën Pali, duke zhvilluar kristologjinë e tij, na kujton pikërisht këtë mundësi sapienciale: pranon se Jezusi është urtia e amshuar, që ka ekzistuar gjithnjë, urtia që zbret e ngul çadrën ndërmjet nesh e kështu ai mund ta përshkruajë Krishtin si “fuqi e Hyjit e dije e Hyjit”, mund të thotë se Krishti u bë për ne “dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim e shpërblim” (1 Kor 1,24.30). Pali sqaron edhe se Krishti, njëlloj si Urtia, mund të mos pranohet, sidomos nga sunduesit e kësaj bote (cfr 1 Kor 2,6-9), gjë që mund të krijojë në planet e Hyjit, një situatë paradoksale, kryqin, i cili kthehet në rrugë shëlbimi për mbarë gjininë njerëzore.

 
Ky cikël sapiencial, që e shikon Urtinë duke u përulur, për t’u lartuar më pas përsëri, pavarësisht nga mospranimi, zhvillohet më tej në himnin e famshëm, që përfshihet në Letrën drejtuar Filipianëve (cfr 2,6-11). Është një nga tekstet më të larta të Besëlidhjes së Re. Shumica e ekzegjetëve mendojnë se kjo perikope ka lidhje me një tekst të mëparshëm të Letrës drejtuar Filipianëve. Kjo e dhënë ka rëndësi të madhe, sepse tregon që judeo-kristianizmi, para Shën Palit, besonte në hyjninë e Krishtit. Me fjalë të tjera, besimi në hyjninë e Krishtit nuk është shpikje helenistike, e bërë shumë kohë pas jetës tokësore të Jezusit, një shpikje që, duke harruar se Ai qe njeri, e hyjnizoi; në të vërtetë shikojmë se judeo-kristianizmi besonte se Jezusi ishte Hyj, madje mund të themi edhe se vetë Apostujt, në çastet e mëdha të jetës së Mësuesit të tyre, e kuptuan se Ai ishte Biri i Hyjit, siç u shpreh Shën Pjetri në Çezarè të Filipit: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” (Mt 16,16). Por të rikthehemi tek Letra drejtuar Filipianëve. Ky tekst përbëhet nga tri strofa, që shpjegojnë çastet kryesore të jetës së Krishtit. Paraekzistenca e tij shprehet me fjalët: “Jezu Krishti, megjithëse ishte me natyrë hyjnore, nuk e mbajti porsi visar të fshehur unjësimin e vet me Hyjin” (v.6); në strofën e dytë vjen pastaj përulja e vullnetshme e Birit: “e zhveshi vetveten e mori gjendjen e shërbëtorit” (v.7) dhe e përuli vetveten “duke iu shtruar dëgjesës deri në vdekje, e në vdekje të kryqit” (v. 8). Strofa e tretë e himnit kumton përgjigjen e Atit për përuljen e Birit: “Për këtë arsye Hyji e lartoi e i dha një emër, i cili është mbi çdo emër tjetër” (v. 9). Ajo që bie më shumë në sy është kontrasti ndërmjet përuljes së plotë e lumnimit të mëpasëm në lavdinë e Hyjit. Duket qartë se strofa e dytë është në kontrast me pretendimin e Adamit, që deshi të bëhej vetë Hyj; është në kontrast edhe me sjelljen e ndërtuesve të kullës së Babelit, që donin ta ngrinin vetë urën drejt qiellit e të bëheshin vetë hyjni. Por kjo nismë arrogante i çoi në vetëshkatërrim: nuk arrihet kështu në qiell, në lumninë e vërtetë, tek Hyji. E gjesti i Birit të Hyjit është pikërisht i kundërt: s’është krenia, por përvujtëria, ajo që realizon dashurinë, e dashuria është hyjnore. Përulja e përvujtëria e plotë e Krishtit, me të cilën i kundërvihet krenisë njerëzore, është shprehje e vetë dashurisë hyjnore: pas saj vjen ai lartim në qiell, drejt të cilit Hyji na tërheq me dashurinë e tij.

Përveç Letrës drejtuar Filipianëve, ka edhe copa të tjera të shkrimeve të Shën Palit, në të cilat lidhet ngushtë tema e paraekzistencës e ajo e zbritjes së Biri të Hyjit mbi tokë. Një pohim të njëjsimit të Dijes me Krishtin, me të gjitha pasojat kozmike e antropologjike, që lidhen me të, e gjejmë edhe në Letrën e parë drejtuar Timoteut: “Ai u dëftua në mishërim, u përligj në Shpirtin (Shenjt), iu duk engjëjve, iu kumtua paganëve, u besua në botë, u lartua në lumní! (3,16). Pikërisht mbi këto premtime mund ta përcaktojmë funksionin e Krishtit si i vetmi Ndërmjetës pranë Perëndisë së Besëlidhjes së Vjetër e njerëzve (cfr 1 Tim 2,5 në lidhje me Is. 43, 10-11;44,6). Është Krishti ura e vërtetë që na çon në qiell, në bashkim me Hyjin.

E, në mbarim, edhe dy fjalë mbi zhvillimet e fundme të kristologjisë së Shën Palit në Letrat drejtuar Kolosianëve e Efezianëve. Në të parën, Krishti cilësohet si i lindur para të gjitha krijesave (1,15-20). Kjo fjalë ‘i parëlindur’ tregon se i pari ndër shumë bij, i pari ndër shumë vëllezër e motra, zbriti për të na bërë vëllezërit e tij e motrat e tija. Në Letrën drejtuar Efezianëve gjejmë një shpjegim të bukur të planit hyjnor, kur Pali thotë se në Krishtin Hyji deshi t’i përkryente plotësisht të gjitha sendet (cfr. Ef 1,23). Krishti është përkryerje e të gjitha sendeve, i përmbledh të gjitha e na prin drejt Hyjit. E kështu na përfshin në një lëvizje zbritjeje e ngjitjeje, duke na ftuar të marrim pjesë në përvujtërinë e tij, dmth në dashurinë e tij ndaj të afërmit, për të qenë kështu pjesëmarrës edhe në lumnimin e tij, duke u bërë me të, bij në Birin. T’i lutemi Zotit të na ndihmojë që të kemi të njëjtën përvujtëri e të njëjtën dashuri, për të marrë pjesë, kështu, edhe në hyjnizimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.