2008-10-28 17:16:39

Filloi në Manila, Forumi global mbi emigracionin dhe zhvillimin


(28.10.2008 RV)Politikat kundër emigracionit, të motivuara nga kriza globale, do ta kufizonin në vend që ta fuqizonin potencialin e zhvillimit të përgjithshëm botëror. Ky denoncim u bë dje në hapjen e Forumit të dytë global mbi emigracionin dhe zhvillimin në Manila, në praninë e mëse njëmijë përfaqësuesve dhe delegatëve nga qeveritë dhe nga organizatat e botës së punës të 151 vendeve. Problemi është se me kufizimin e emigracionit, do të mungojë krahu i punës dhe konsumatorët e mundshëm të rinj. U theksua gjithashtu, se kriza do të ndikojë së pari mbi emigrantët, që ndodhen tashmë në vendet e zhvilluara, pasi do të jenë të parët që do ta humbasin vendin e punës. U vu në dukje se si paratë që emigrantët dërgojnë në shtëpitë e tyre përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të bilancit kombëtar. Për shembull, në Moldavi, ato përbëjnë 36% të prodhimit të brendshëm brut, 20% në Jordani, 18% në Salvador e 12% në Guatemala. Në ditën e parë të punimeve u fol edhe për emigrantët e parregullt, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë. Shifra shqetësuese që doli në pah sillet në 15-20% të 200 milion emigrantëve në botë. Forumi do të përfundojë më 30 tetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.