2008-10-27 17:59:07

Sot, festa e Shën Evaristit papë dhe e Shën Frumencit.


(27.10.2008 RV)RealAudioMP3 Ndërsa nga paraardhësi i tij Klementit arriti deri tek ne Letra e famshme drejtuar të krishterëve të Korintit, nga Evaristi nuk shpëtoi asgjë. Gjithçka dihet për të, mund ta njohim duke shfletuar Liber Pontificalis, përmbledhje kronologjike e biografive të papëve të shekullit IV si dhe shkrimet e Ireneut e të Euzebit: me sa duket, ishte grek i Antiokisë, i lindur në Betlehem, që u bë i katërti ose ndoshta, i pesti, pasardhës i Shën Pjetrit aty nga vitet 100. E drejtoi Kishën për nëntë vjet. Tingëllojnë legjendare lajmet, sipas të cilave vdiq martir, e ndau Romën në njëzet e pesë famulli, themeloi shërbimin e shtatë diakonëve për ta ndihmuar gjatë liturgjisë, si dëshmitarë të ortodoksisë së tij e si ‘stenografë’ të predikimeve të tij. Sidoqoftë, këto shkrime humbën të gjitha. Jemi, prandaj, para një Pape ‘pa zë’. Për të thuhet se, përveç shtatë diakonëve, shuguroi edhe tetëmbëdhjetë meshtarë e pesëmbëdhjetë ipeshkvij.


Sot Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Frumencin, ungjillëzuesin e parë të Etiopisë. Në se shtegton në rrafshnaltat që rrethojnë Axumin, do të vëresh menjëherë kudo kapela të vogla kushtuar Shën Frumencit. Etiopia, e cila në botën e lashtë njihej si India e përtejme, e nderon jashtëzakonisht shenjtin, të cilin e quan Abba Salama, që do të thotë "Atë Paqësori" ose "mbartësi i dritës".Shën Frumenci vijoi këtu misionin e tij ipeshkvnor deri në vdekje, rreth vitit 380, duke përhapur kudo fjalën e Ungjillit e duke ia dalë mbanësh të kthente në fenë e krishterë edhe mbretin Ezana, i cili qe nga të parët që e pranoi mesazhin ungjillor. Model tepër modern Shenjti i lashtë, në një kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz paqësorë", "rrezatues të dritës".







All the contents on this site are copyrighted ©.