2008-10-27 17:41:32

Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje për të krishterët e Indisë e të Irakut.


(27.10.2008 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë, Benedikti XVI rikujtoi punimet e Sinodit dhe rëndësinë e ekzegjezës biblike, të bazuar si mbi metodën historiko-kritike, ashtu edhe mbi atë teologjike.
Pastaj Ati i Shenjtë bëri një thirrje të fuqishme për paqe e për liri fetare në mbarë botën, duke kujtuar posaçërisht persekutimin e të krishterëve të Indisë e të Irakut, të cilët bota nuk duhet e nuk mund t’i harrojë:

“Në përfundim të Asamblesë sinodale, Patrikët e Kishave Lindore i drejtuan një thirrje, që e bëj timen, bashkësisë ndërkombëtare, prijësve fetarë e të gjithë burrave e grave vullnetmira, duke u kujtuar tragjedinë që vijon në disa vende të Lindjes, ku të krishterët janë viktima të intolerancës e të dhunës së egër, ku vriten, kërcënohen e detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre e të ravgojnë në kërkim të një strehe. Mendoj këtë çast posaçërisht për Irakun e Indinë”.

 
Duke kujtuar kontributin që bashkësitë e vogla, por të kualifikuara të krishtera, japin për zhvillimin e atdheut të përbashkët, Papa ripohoi, më pas, se ata nuk kërkojnë privilegje. E vetmja gjë që kërkojnë, është të vijojnë jetën në vendin e tyre së bashku me të gjithë nënshtetasit e tjerë:

“Autoriteteve civile e fetare të interesuara, u kërkoj të mos kursejnë asgjë në përpjekjen që të rivendosen ligjshmëria e bashkëjetesa civile dhe që qytetarët e ndershëm e të drejtë ta dinë se mund të gëzojnë mbrojtjen e nevojshme nga ana e shtetit. Uroj, pastaj, që krerët civilë e fetarë të të gjitha vendeve, të vetëdijshëm për rolin e tyre udhëheqës, të bëjnë përpjekje të dukshme që shprehin miqësinë e konsideratën për pakicat, të krishtera ose të besimeve të tjera, e ta konsiderojnë çështje nderi mbrojtjen e të drejtave të tyre të ligjshme”.
 

 

 

  







All the contents on this site are copyrighted ©.