2008-10-27 17:41:15

Benedikti XVI kryesoi në Shën Pjetër Meshën përfundimtare të Sinodit, duke kujtuar ipeshkvijtë kinezë e udhëtimin e tij në Afrikë.


(27.10.2008 RV)RealAudioMP3 Me një kremtim solemn eukaristik, kryesuar nga Benedikti XVI në bazilikën e Vatikanit, përfunduan dje punimet e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Zotit. Gjatë homelisë, Papa kujtoi prelatët e Kinës kontinentale dhe njoftoi se në mars 2009 do të bëjë një shtegtim apostolik në Afrikë.
Azia e Afrika: dje fjalët e Papës i lidhën simbolikisht këto dy kontinente, të cilat i vuri në qendër të homelisë së tij. Pasi i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e Sinodit të sapopërfunduar, duke u shprehur mirënjohjen për impenjimin e vazhdueshëm e për përvojën e pasur që sollën në sallë, mendimi i Benediktit XVI shkoi tek ipeshkvijtë e Kinës kontinentale:

Një mendim i posaçëm shkon tek ipeshkvijtë e Kinës Kontinentale, që nuk munden të përfaqësohen në këtë asamble sinodale. Dëshiroj të shpreh këtu ndjenjat e tyre e të falënderoj Zotin për dashurinë që kanë ndaj Krishtit, për bashkimin me Kishën universale e për besnikërinë ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit. Ata janë të pranishëm në lutjen tonë, së bashku me të gjithë besimtarët besuar kujdesit të tyre baritor. T’i lutemi ‘Kryebariut të grigjës’ (1 Pt 5,4) t’u japë gëzimin, forcën e zellin apostolik, për t’i prirë me urti e largpamje bashkësisë katolike në Kinë, aq të dashur për ne të gjithë”.

 
Më pas, njoftimi për shtegtimin në Afrikë, në mars 2009, me rastin e Asamblesë së posaçme të Sinodit për këtë Kontinent, që do të mbahet në Romë, në tetorin e vitit të ardhshëm:

“E kam ndër mend të shkoj, marsin e ardhshëm, në Kamerun, për t’u dorëzuar përfaqësuesve të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës ‘Instrumentum laboris’ (tekst bazë për reflektimet) të kësaj Asambleje sinodale. Që këtu, në dashtë Zoti, do të vijoj udhën drejt Angolës, për të kremtuar solemnisht 500-vjetorin e ungjillëzimit të vendit”.
 
Por filli i artë i gjithë homelisë së Papës ishte urdhërimi i dashurisë. Asaj dashurie – theksoi Benedikti XVI – që nuk kënaqet për padrejtësitë, por i gëzohet së vërtetës; arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka, rinon gjithçka, fiton gjithçka: dashuri e njeriut që, duke njohur kufizimet e tij, ecën me bindje të plotë sipas fjalëve të Krishtit. Kjo do të thotë të jesh nxënës i Jezusit – ripohoi Ati i Shenjtë – e të zbatosh urdhërimin e parë e më të madh të ligjit hyjnor, duke e dëshmuar konkretisht në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve që…:

“(…) duhet të jenë marrëdhënie respekti, bashkëpunimi, ndihme bujare. I afërmi që duhet dashur është edhe i huaji, jetimi, vejusha e skamnori, të gjithë ata qytetarë, të cilët nuk kanë asnjë ‘dalazotës”.

 
Dashuria për të afërmin – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – lind nga dëgjimi plot bindje i Fjalës hyjnore e nga mishërimi i saj në jetën personale e në atë të bashkësisë. E kjo përvojë ishte e gjithëpranishme gjatë punimeve të asamblesë sinodale në ditët e kaluara:

“Në këtë kremtim eukaristik, që mbyll punimet sinodale, vërejmë në mënyrë të veçantë lidhjen që ekziston ndërmjet dëgjimit plot dashuri të Fjalës së Zotit e shërbimit pa kurrfarë interesi ndaj vëllezërve. Sa herë, në ditët e kaluara, dëgjuam përvoja e reflektime, që vunë theksin mbi nevojën, sot emergjente, të dëgjimit më të vëmendshëm të Zotit, të njohjes më të thellë të Fjalës së tij e të shëlbimit; të ndarjes më të sinqertë të fesë, të ushqimit më të vazhdueshëm në tryezën e fjalës hyjnore”.
 
Pastaj shikimi i Papës u zgjerua, duke u ndaluar tek misioni i Kishës; detyra e saj e dorës së parë, në fillim të këtij mijëvjeçari të ri - kujtoi Benedikti XVI – është ushqimi me fjalën e Zotit, për ta bërë të frytshëm impenjimin e ungjillëzimit të ri. Por është e nevojshme edhe që fjala e dëgjuar të gjejë shprehjen e vet në gjeste dashurie, sepse vetëm kështu kumtimi i Ungjillit bëhet vërtet i besueshëm, pavarësisht nga ligështitë që mund të ketë çdo njeri:

“Shumë njerëz, nganjëherë edhe pa u kujtuar, janë në kërkim të takimit me Krishtin e me Ungjillin e tij; shumkush ka nevojë të gjejë në Të kuptimin e vetë jetës. Të japësh një dëshmi të qartë, për vete e për të tjerët, të një jete të jetuar sipas Fjalës së Hyjit, dëshmuar nga Jezusi, bëhet kriter i domosdoshëm verifikimi në misionin e Kishës”.

Por si mund të bëhet i frytshëm impenjimi i ungjillëzimit, në mënyrë që njerëzit, duke u takuar me të vërtetën, të gjejnë dashurinë e kërkuar? Përgjigjja - nënvizon Papa, gjindet në takimin e gjallë e të thellë me Shkrimin Shenjt:

E me qenë se takimi me Shkrimin Shenjt jo rrallë rrezikohet të mos jetë ‘fakt i Kishës”, por i subjektivizmit e i arbitraritetit, bëhet e domosdoshme përgatitja e shëndoshë dhe e besueshme baritore për njohjen e këtij Shkrimi, që të kumtohet, të kremtohet e të jetohet në bashkësinë e krishterë, duke dialoguar me kulturat e kohës sonë, duke e vënë në shërbim të së vërtetës, e jo të ideologjive në fuqi e duke thelluar dialogun ndërmjet të gjithë njerëzve, të cilin e dëshiron vetë Zoti” (cfr ibid. 21).
 Për këtë qëllim – vijoi Ati i Shenjtë - duhet treguar kujdes tepër i madh në përgatitjen e barinjve, duke inkurajuar përpjekjet që kanë si qëllim nxitjen e lëvizjes biblike ndërmjet laikëve e formimin e animatorëve të grupeve, me vëmendje të përqëndruar sidomos tek të rinjtë. E akoma, duhet mbështetur çdo përpjekje për t’ua bërë të njohur fenë, përmes Fjalës së Hyjit, edhe atyre që janë larg saj e posaçërisht, atyre që kërkojnë me sinqeritet kuptimin e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.