2008-10-27 17:24:02

365 ditë:"Bazilika e Zemrës së Krishtit në Monmartrë, Kishë që i bashkon të gjithë francezët".


(26.10.2008 RV)Në ditën e Rrëshajve të vitit 1923, Zhani dhe prindërit e tij shkojnë për të ndjekur Meshën Shenjte në bazilikën ‘e tyre’. Banojnë pranë Zemrës së Krishtit, që ngrihet në lagjen pariziane të Monmartrë. Më në fund Kisha e madhe, e bardhë, pas më se pesëdhjetë vjet punimesh, është përfunduar.
Në fund të Meshës, Zhani ngre sytë për të kundruar mozaikun vigan, që zbukuron kupolën, në qendër të të cilit është pikturuar Krishti, në këmbë, me krahë të hapur. Një meshtar i afrohet Zhanit.
“Madhësia e figurave ndryshon sipas vendit që zënë në hjerarkinë qiellore”, I shpjegon. “Sa më e shenjtë të jetë figura, aq më e madhe është. Në të djathtë të Krishtit shikojmë Virgjërën Mari, ndërsa më të majtë, veshur krejt me të bardha, Francën. Pastaj është Ati qiellor e Shpirti Shenjt, i paraqitur në trajtë pëllumbi.
“Ç’është shkruar mbi larzimet?”.
“Është një kushtim në gjuhën latine. I përkthyer, ka këtë kuptim: “Zemrës së Shenjtë të Krishtit, Franca e flaktë, e penduar, mirënjohëse’.
Zhani admiron, i mahnitur, varganin pa fund të shenjtorëve, që ecën drejt korit. Meshtari vijon shpjegimin: “Janë Shën Françesku i Sales, me simbolin e Zemrës së Krishtit e Shën Margarita Alakok, së cilës Jezusi i kërkoi të themelonte festën e Zemrës së Tij të hyjnueshme. Ndërsa skena tjetër paraqet historinë e Bazilikës.
“A mund të ma tregoni, ju lutem?”.
“Në vitin 1870 Franca humbi luftën kundër Gjermanisë. Vendi ishte i pushtuar; Parisi, i rrethuar. Njerëzit vdisnin si mizat nga e ftohta e nga uria. Pa mendo një herë: për të mbijetuar, banorët e Parisit hëngrën të gjitha kafshët e kopshtit zoologjik! E ky ishte vetëm fillimi i fatkeqësive… Në vitin 1871, kur Franca kapitulloi, punëtorët e Parisit ngritën krye e organizuan regjimin e komunës, i pari shtet komunist në botë. Vendi ra rishtas në mjerim. Rifilluan masakrat. Në këtë periudhë Aleksandër Lëzhentil e Yber Too dë Flëri besonin, ashtu si shumë katolikë të tjerë, se shkaku i gjithë këtyre tragjedive ishte humbja e fesë në zemrën e francezëve. Bënë, prandaj, kusht të ndërtojnë një Kishë kushtuar Zemrës së Krishtit, duke dashur, kështu, të shprehnin pendimin e Francës për mëkatet e rënda të kryera në një copë rrugë të gjatë të historisë së saj. Mund të themi, prandaj, se ndërtimi i bazilikës së Zemrës së Krishtit është një akt i mirëfilltë feje, që u realizua me ndihmat e të gjithë francezëve”.Zhani falënderon meshtarin për shpjegimin. Gjunjëzohet përsëri e vijon adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament, që rri jashtë ditë-natë, duke u takuar kështu pambarimisht me qindra-mijëra adhurues, të cilët gjunjëzohen, brezni pas breznie para Krishtit Eukaristik, që më 1871, kur u hodhën themelet e bazilikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.