2008-10-26 15:17:25

Papa mbyll Sinodin me kremtimin e Meshës solemne shumëgjuhësh në Vatikan


(26.10.2008 RV)RealAudioMP3 Me kremtimin solemn të Eukaristisë shenjte të kryesuar nga Benedikti XVI në Bazilikën e Vatikanit në bashkëkremtim me 326 kardinalë e ipeshkvij, janë mbyllur punimet e Sinodit të Ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit. Në qendër të homelisë së Papës Racinger, një mendim i veçantë për ipeshkvijtë e Kinës kontinentale e lajmërimi i udhëtimit apostolik në Afrikë në mars të vitit 2009. Pas Meshe, gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot në mesditë, Ati i Shenjtë Benedikti XVI bëri thirrje për paqen e të krishterëve në Indi e në Irak si dhe për respektimin e lirisë fetare në mbarë botën.
Dje paradite, në Kongregacionin e 23-të të përgjithshëm, Etërit sidonalë miratuan 55 propozime përfundimtare. Dokumenti, hartuar në gjuhën latine, iu dorëzua Atit të Shenjtë, i cili do ta përdorë për hartimin e Këshillimeve pas-sinodale. Gjithsesi, Papa autorizoi botimin në gjuhën italiane të bocës së përkohshme të propozimeve.
Ndërmjet 55 propozimeve, vendin kryesor e zë domosdoshmëria e përhapjes edhe inkulturimit të Biblës ndërmjet mbarë popujve të tokës. Një detyrë kjo, për realizimin e së cilës mund të ndihmojnë fuqimisht familjet, misionarët e mjetet e komunikimit shoqëror, pa harruar edhe përkthimet, gjithnjë më të nevojshme, të Biblës, në gjuhët vendase.
U ripohua lidhja e Fjalës së Zoti me liturgjinë, rëndësia e homelive të frymëzuara nga Fjala hyjnore; u fol për hartimin e një ‘Drejtuesi për homelitë’, që t’i ndihmojë predikatarët; për aktivizimin e grave në katekizëm; për rëndësinë e Liturgjisë së orëve; për kapërcimin e dualizmit ndërmjet ekzegjetëve e teologëve; për të rinjtë, meshtarët e baritorinë e shëndetit
U theksua posaçërisht se kumtimi i Lajmit të mirë është detyrë e gjithë të pagëzuarve, ndërsa ripohohet lidhja ndërmjet Fjalës së Hyjit e Artit liturgjik, sidomos në kisha, si dhe lidhja e Fjalës së Hyjit me kulturën, duke pasur parasysh se Fjala hyjnore mund ta ndihmojë shumë shkencën në zbulimet e saj.
Pastaj, Missio ad gentes – misioni ndërmjet popujve, me pohimin se Kisha duhet të takohet me të gjithë e të vijojë të mbrojë të drejtën e lirisë së njerëzve për të dëgjuar fjalën e Zotit, edhe me rrezikun e persekutimit.
Pastaj tema e dialogut me hebrenjtë, me myslimanët e me fetë e tjera, dialog që duhet mbështetur mbi platformën e përbashkët të Biblës e duhet radhitur në kontekstin e lirisë fetare e të respektimit të të drejtave të burrit e të gruas.
Shumë propozime edhe për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, duke falënderuar Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I për praninë e tij në Sinod, si dhe një thirrje për mbrojtjen e gjithësisë.
Propozimet përfundojnë duke ia besuar Virgjërës Mari rezultatet konkrete të Sinodit.

Të premten e kaluar u miratua Mesazhi përfundimtar i Sinodit. I ndarë në katër pjesë, teksti flet, ndërmjte tjerash, edhe për dialogun ndërfetar e për rrugën ekumenike.
Një lexim simfonik me shumë zëra: kështu u cilësua në Sallën e Sinodit, ky mesazh përfundimtar i Asamblesë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve. Teksti u paraqit nga imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Komisionit për mesazhin e takimit, që e lexoi dukumentin, i pasuar nga katër Etër të tjerë sinodalë.
Është një mesazh me karakter formues, një thirrje e ngrohtë, që Bibla të përvetësohet jo vetëm me përpikmërinë e ekzegjezës, por edhe me zemër: kështu u shpreh imzot Ravazi, duke paraqitur mesazhin. Teksti ndahet në katër pjesë që, në përkim me Fjalën e Zotit, titullohen: Zëri i tij ose Zbulesa; fytyra e Tij, ose Jezu Krishti; shtëpia e tij, ose Kisha; udhët e tij, ose misioni. Katër etapa – tha prelati - të cilat nga amshimi e pafundësia, na çojnë në shtëpitë tona, në qytetet tona.
 
Nga tribuna e Sinodit, Papa dhe ipeshkvijtë lindorë bënë thirrje të fuqishme për paqen, drejtësinë dhe lirinë fetare, posaçërisht në Tokën Shenjte, në Liban, Irak e Indi.
“Drejtësia e liria fetare garantojnë paqen” – theksohet në një mesazh kushtuar shqetësimeve, që burojnë nga realiteti dramatik i bashkësive të krishtera në zona të ndryshme të Botës.Këtij realiteti ia kushton sot reflektimin e funbdjavës, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, duke vënë në qëndër të vemendjes të krishterët e dëbuar të Irakut e të Indisë e duke u bërë thirrje gjithë njerëzve vullnetmirë të rikujtojnë një të vërtetë sa hyjnore, aq edhe njerëzore: “Në emër të Zotit nuk duhet vrarë as urryer, por duhet dashur e respektuar çdo njeri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.