2008-10-25 16:03:31

Botohet lista përfundimtare e Propozimeve të Sinodit kushtuar Fjalës së Zotit.


(25.10.2008 RV)Ditë përfundimtare e sotmja, për Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit në jetën e në misionin e Kishës. Sot paradite, në Kongregacionin e 23-të të përgjithshëm, Etërit sidonalë miratuan 55 propozime përfundimtare. Dokumenti, hartuar në gjuhën latine, iu dorëzua Atit të Shenjtë, i cili do ta përdorë për hartimin e Këshillimeve pas-sinodale. Gjithsesi, Papa autorizoi botimin në gjuhën italiane të bocës së përkohshme të propozimeve.
Nesër, në orën 9. 30 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën Shenjte përfundimtare të Asamblesë së XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit.
Ndërmjet 55 propozimeve, vendin kryesor e zë domosdoshmëria e përhapjes edhe inkulturimit të Biblës ndërmjet mbarë popujve të tokës. Një detyrë kjo, për realizimin e së cilës mund të ndihmojnë fuqimisht familjet, misionarët e mjetet e komunikimit shoqëror, pa harruar edhe përkthimet, gjithnjë më të nevojshme, të Biblës, në gjuhët vendase.
U ripohua lidhja e Fjalës së Zoti me liturgjinë, rëndësia e homelive të frymëzuara nga Fjala hyjnore; u fol për hartimin e një ‘Drejtuesi për homelitë’, që t’i ndihmojë predikatarët; për aktivizimin e grave në katekizëm; për rëndësinë e Liturgjisë së orëve; për kapërcimin e dualizmit ndërmjet ekzegjetëve e teologëve; për të rinjtë, meshtarët e baritorinë e shëndetit
U theksua posaçërisht se kumtimi i Lajmit të mirë është detyrë e gjithë të pagëzuarve, ndërsa ripohohet lidhja ndërmjet Fjalës së Hyjit e Artit liturgjik, sidomos në kisha, si dhe lidhja e Fjalës së Hyjit me kulturën, duke pasur parasysh se Fjala hyjnore mund ta ndihmojë shumë shkencën në zbulimet e saj.
Pastaj, Missio ad gentes – misioni ndërmjet popujve, me pohimin se Kisha duhet të takohet me të gjithë e të vijojë të mbrojë të drejtën e lirisë së njerëzve për të dëgjuar fjalën e Zotit, edhe me rrezikun e persekutimit.
Pastaj tema e dialogut me hebrenjtë, me myslimanët e me fetë e tjera, dialog që duhet mbështetur mbi platformën e përbashkët të Biblës e duhet radhitur në kontekstin e lirisë fetare e të respektimit të të drejtave të burrit e të gruas.
Shumë propozime edhe për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, duke falënderuar Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I për praninë e tij në Sinod, si dhe një thirrje për mbrojtjen e gjithësisë.Propozimet përfundojnë duke ia besuar Virgjërës Mari rezultatet konkrete të Sinodit.







All the contents on this site are copyrighted ©.