2008-10-25 15:44:50

365 ditë: "Legjioni i Marisë çon dritën e Ungjillit, atje ku errësira është më e dendur".


(25.10.2008 RV)“Të dashur miq. Takimi i sotëm do të jetë i pazakontë. Nuk do të dalim që këtu, pa e zgjidhur një problem të vështirë. Pra, siç patëm thënë, shkuam në shtëpinë e takimeve...”.
“Ju keni shkuar te gratë e përdala?” - dëgjohet një klithmë.
“Sigurisht, a nuk na ngarkuat ju vetë me këtë detyrë? Talleni, apo si e keni punën?”.
Në sallë shpërthen gazi. Ky takim që mbahet çdo javë, ka për qëllim t’i ndihmojë legjionaret e Marisë t’i realizojnë me sukses nismat e tyre. Legjioni i Marisë është një grup grash, që kanë devocion të veçantë për Zojën e Bekuar, të cilat mblidhen për t’u lutur e për të planifikuar veprimtari në ndihmë të njerëzve më nevojtarë. Vizitojnë të sëmurët, për shembull, çojnë dashurinë e Zojës, atje ku mungon, me vetëdijen se të duash, do të thotë të veprosh. U ndihmojnë edhe disa burra vullnetmirë. E janë pikërisht ata, që sot kanë shkuar në një nga shtëpitë e grave të përdala, për t’u folur.
“Pra, të rifillojmë. Ju, që lëshuat klithmën, me sa duket nuk ishit në mbledhjen e javës së kaluar” - e rilidh Franko fjalën e këputur. “Prandaj ja, po jua shpjegoj: shkuam të flasim me këto gra. Thashë të flasim. Pra, folëm e kaq!”.
Gratë nisin përsëri të qeshin, por problemi për të cilin flitet është tepër serioz. Gratë me të cilat Franko e shokët e tij u takuan pak më parë, duan të ndërrojnë jetë. Po ku të mbyten? Legjionarët janë gati t’i ndihmojnë për të dalë nga shtegu i verbër, ku kanë hyrë dashur pa dashur. Së pari duhet të gjejnë një shtëpi, ku t’i strehojnë, duke rrezikuar edhe emrin e tyre të mirë. Në të vërtetë, në vitin 1922, në Dublin të Irlandës, ku zhvillohet mbledhja për të cilën po flasim, kush takohet me prostitutat, dihet...nuk shkon të flasë për motin... Sonte propozohet një rrugëzgjidhje e përkohshme: mund të strehohen përkohësisht në një kuvend, në pritje të gjetjes së një shtëpie të përshtatshme për ta. Por më parë duhej bindur Nëna Eprore. Për tri ditë, as edhe një më shumë.
E ja që mikrobusi është gati për t’u nisur. Vajzat duken si të trembura. Kanë frikë se kjo është një grackë e se do t’i çojnë drejt e në burg. Megjithatë, nga tridhjetë e një, që ishin, njëzet e tri ngjiten në mikrobus.
Strehimi përfundon me sukses të plotë. Por tani duhet shkuar në Ministrinë brendshme për të shpjeguar gjendjen e për të kërkuar një strehim tjetër. E pas gjithë këtyre përpjekjeve, vajzat më në fund mund të hyjnë në një shtëpi të madhe, të pastërt e të vënë në rregull nga Legjionaret guximtare. Kjo strehë, që quhet Shtëpia e Shën Mërisë, do të strehojë, më pas, edhe ish-të burgosura, ish-rrugaçe e të tjera akoma. Është vërtetë një sukses i madh! Legjionarët e Marisë do ta përhapin përvojën e tyre, që do të shërbejë si shembull. Sot anëtarët e Legjionit të Marisë janë me dhjetra-mijëra, të përhapur kudo nëpër botë, gjithnjë të gatshëm për të çuar dritën e Ungjillit, atje ku errësira është më e dendur.







All the contents on this site are copyrighted ©.