2008-10-24 17:43:34

Mesazhi i Sinodit: Fjala e Zotit të njihet e të duhet gjithnjë më shumë në botë! Falënderohen ekzegjetët, katekistët e martirët.


(23.10.2008 RV)RealAudioMP3 Një lexim simfonik me shumë zëra: kështu u paraqit sot paradite në Sallën e Sinodit, mesazhi përfundimtar i Asamblesë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve. Teksti u paraqit nga imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Komisionit për mesazhin e takimit, që e lexoi dukumentin, i pasuar nga katër Etër të tjerë sinodalë. Kështu mesazhi u lexua në gjuhët italiane, angleze, spanjolle, franceze e gjermane.
Një mesazh me karakter formues, një thirrje e ngrohtë, që Bibla të përvetësohet jo vetëm me përpikmërinë e ekzegjezës, por edhe me zemër: kështu u shpreh imzot Ravazi, duke paraqitur mesazhin. Teksti ndahet në katër pjesë që, në përkim me Fjalën e Zotit, titullohen: Zëri i tij ose Zbulesa; fytyra e Tij, ose Jezu Krishti; shtëpia e tij, ose Kisha; udhët e tij, ose misioni. Katër etapa – tha prelati - të cilat nga amshimi e pafundësia, na çojnë në shtëpitë tona, në qytetet tona.
Në dy pjesët e para, dokumenti kujton rëndësinë e Fjalës hyjnore, që është e frytshme, krijuese, shëlbuese, në zanafillë të njeriut e të historisë; që hyn në hapësirë e në kohë e merr fytyrë njerëzore, fytyrën e Jezu Krishtit. Pikërisht për këtë arsye takimi me Biblën është takim me një Vetje, që i hap jetës horizonte të reja. Prej këndej, është e rëndësishme të mos kalohet në fondamentalizëm ekzegjetik, që e mohon mishërimin e Fjalës hyjnore në histori. Ky fondamentalizëm - tha imzot Ravazi në konferencën e shtypit, mbajtur nga fundi i paradites - shpesh mendon se e ka mbyllur të vërtetën në fjalë të veçanta, prandaj ka frikë ta zbulojë Fjalën hyjnore përtej këtyre fjalëve. Duke folur para gazetarëve, prelati uroi që Konferencat e ndryshme ipeshkvnore në botë, mbi bazën e realiteteve përkatëse të sistemit arsimor, të japin ndihmesën e tyre për ta përhapur Biblën në shkolla.
Pastaj, në faqet kushtuar misionit, theksi vihet mbi familjen, parë si hapësirë themelore ku duhet të hyjë Fjala e Zotit e ku breznitë e reja duhen drejtuar me një pedagogji të përshtatshme në rrugën e njohjes nga afër me Krishtin.
E shikimi i Etërve sinodalë depërton edhe në lagjet e varfëra të botës, ku njerëzit shtypen, poshtërohen, flaken jashtë radhëve të shoqërisë, sëmuren, jetojnë të vetmuar e të pambrojtur. Përballë kësaj situate – lexojmë në Dokument – i krishteri ka misionin të kumtojë Fjalën hyjnore të shpresës, përmes afrimit plot dashuri, që nuk gjykon, po ndihmon; që nuk shqetëson, por ngushëllon e fal.
Më pas theksohet rëndësia e dialogut edhe e takimit me popullin hebraik e me Islamin: me të parin – lexojmë në mesazh – krishterimi lidhet përmes pranimit e dashurisë së përbashkët ndaj Besëlidhjes së Vjetër, ndërsa me të dytin e lidh dëshmia e sinqertë e besimit në një Zot të vetëm, plot mëshirë e dashuri.
Kujtohen edhe budizmi e konfucionizmi: edhe me këto besime – shkruhet në mesazh – i krishteri duhet të gjejë pika takimi, të bazuara mbi respektin ndaj jetës, heshtjen, thjeshtësinë, flijimin. E nuk harrohen edhe jo-besimtarët, që përpiqen të praktikojnë drejtësinë e të dashurojnë mirësinë: atyre u duhen hapur horizontet e së vërtetës e të dashurisë, të zbuluara nga fjala e Zotit.
Në pjesën kushtuar Kishës, vihet në qendër të vëmendjes vlera e homelive dhe e rrugës ekumenike. Por, të dëgjojmë vetë imzot Ravazin:

Përgjigje: - Deshëm të kujtojmë kryesisht një fragmet nga Veprat e Apostujve, i cili na sjell në mend se në shtëpinë e Fjalës, në Jeruzalem, elementet kryesore ishin këto: nga njëra anë katekizmi,‘didaché’, mësimdhënia e Fjalës, thyerja e bukës, dmth Eukaristia, lutja me Fjalën e Hyjit – mendojmë këtu Psalmet, për shembull – e ishte pastaj, në fund, bashkimi ndërmjet anëtarëve të Kishës Ja, në se duam të vemë theksin mbi mësimin, duhet të kujtojmë se mësimi kryesor i Biblës që marrin besimtarët tanë, është pikërisht ai që përmban homelia. E homelia ka si karakteristikë qenien në brendinë e Eukaristisë. Pra kemi ndërthurjen e këtyre dy elementeve themelore, të cilët i thekson edhe Koncili II i Vatikanit, që na kujton se: “Është e njëjta tryezë, së cilës ne i afrohemi njëherësh me besimtarët; në të cilën shtrohemi çdo të dielë, e mbi të cilën është Fjala e Zotit, buka e Fjalës, Buka e Korpit të Krishtit. Realiteti tjetër, që kujtuam, është brenda kësaj Kishe ku; ndonëse në mënyrë jo të plotë, janë të pranishëm edhe vëllezërit tanë ortodoksë e protestantë, të cilët kanë një respekt e një nderim të thellë për Fjalën, madje e venë në qendër të fesë së tyre e të jetës së tyre, ashtu si e vemë edhe ne. Prandaj mund të themi se realiteti i parë i bashkimit duhet zbatuar aty, në pritje të bashkimit të plotë rreth Fjalës së Hyjit.

Pyetje: - Mesazhi përfshin edhe falënderimet. Kujt i drejtohen në mënyrë të veçantë?

Përgjigje: - Falënderimet i drejtohen në mënyrë të veçantë – duhet ta themi – tri lloj grupesh të ndryshme. Para së gjithash, falënderohen studiuesit e Fjalës së Hyjit, dmth ekzegjetët, teologët që gërmojnë në përmasën letrare, historike, sepse kemi të bëjmë me Fjalën që u bë njeri, me Krishtin, me Fjalën e Hyjit të amshuar e të pafundmë, të mishëruar në historinë e njeriut.
Pastaj një falënderim edhe atyre që japin mësim për njohjen e Biblës,
Por, posaçërisht, falënderohen katekistët – e këtu mendojmë në mënyrë të veçantë për disa vende e sektorë të botës, ku mungesa e plotë e meshtarëve bën që katekistët të jenë kumtarë të vërtetë të Fjalës së Hyjit: e katekistët e parë janë prindërit, e pastaj katekistët në gjirin e bashkësisë kishtare, energji e vërtetë, që krijon kushtet për t’i hapur Fjalës së Hyjit rrugë të reja në botën mbarë. Së fundi, një falënderim i dalë nga zemra edhe për martirët e Fjalës, për të gjithë ata që, sidomos në të kaluarën, por edhe në ditët tona, duke i qëndruar besnikë kësaj Fjale që e dëgjuan, janë gati jo vetëm të durojnë vuajtje të të gjitha natyrave, por disa herë, të flijojnë edhe vetë jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.