2008-10-24 12:47:08

Atë Gjergj Fishta: nga “Gomari i Babatasit”


(23.10.2008 RV)Pjesë e tretë
Metamorfoza
Ju rrugaça e sallahana,
Vagabonda shakllabana;
Rriqna t'ndyet, mikrobë të kqì
Qi të mjeres moj Shqypnì
Kthelltë hîë i keni në mushknì,
Pa dhimë gjakun tuj ia pì,
Po dèr kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbë mbi dhè! -
Dèr kur ju, t’u tallë nper nè,
Do t' na qelbni fis e atdhè?
Ah! Bre jue.... nuk dië shka, u kjoftë,
Se tash mâ jemi tue u njoftë,
Se kush jini e se shka jini,
Se kahë shkoni e se kahë vini,
Plang e shpì se kahë i kini
E sa pare u ban jue gjaku:
Se për jue, po duhet laku,
Për me u vjerrë - o kund m' ndoj shpat!
… … … … … … … … …
Erz e shpirt qitun nên themër:
Turq a Slav a Grek me zêmer,
Falun barkun veç Shqypnìsë,
Si ajo marrja e t'gjith nierzìsë...
Tuj u shitë ju per gjith treg,
Sod na mbahi "Skanderbeg";
E ngërdhjucë, goditë, lmue,
Rrue e qethë, pipirique,
Tash n' "smoking" tash në "bon-jour",
Ju, qi djè s' kishi as ushkuer
Me lidhë brekët - me nderë me thânë -
M'sahan t' huej gjithmonë me ngrânë,
Rrugen krejt na e keni zânë.
… … … … … … …

Dèr sa atà burrat e dheut,
Qi për jetë e nderë t' Atdheut
Kan rà n'luftë si shqype t' leta,
Kanë shkrîë gja e shpija t' veta,
Janë tuj dekë rrugave ûnit,
Me ju dhimtë gurit e drûnit:
Përsè, po, kta matrahulla,
Kta Shqyptarë - Shqyptarë kah ksula,
N' vend qi jue me u vûë m' konop,
A se brîët m' ja u zbrûe me shkop,
A, mos tjetër, me u ngushtue,
Me xjerrë zhuri kund m' ndoj prrue
Per me shtrue ndoj rrugë të Shtetit,
A me dlirë ndoj skele detit,
Lavjerrë buzësh, harû si viça,
Kqyrin m' jue, si t' ishi ogiça,
Per me u prîë udhës s' gjytetnìs
E me i sjellë t' maren Shqypnìs.
Anì kush, pra, me i prîë kombit:
Ju, do pyka bîjtë prej llomit,
Qi Shqyptarë vedit i thoni,
Jo pse ju Shqypnìn e doni,
Jo pse ju ndoj send kuptoni
Shka âsht Atdheu e shka âsht Lirija,
Shka âsht Vllaznija a Parasija,
Perparimi e Gjytetnia,
Por veç pse enè der më sot,
Nji tyran s' po e gjêni dot,
Nen kambë t' cillit ju me u shtrue,
Se un mâ tash ma jam regjë me jue,
E ja u njof shpirtin dèr m' palc:
Pleh i ndyet, me u bartun m' shkalc
E me u qitë jashta Shqypnije.

Atë Gjergj Fishta, ‘Gomari i Babatasit’, Shtypshkroja “A. Gj. Fishta”, 1942, ‘Satirika’, fq 67-71.







All the contents on this site are copyrighted ©.