2008-10-24 18:32:30

365 ditë: "Suzanë Fushé u jep shpresë mijëra të pashpresëve".


(24.10.2008 RV)“A është e vërtetë se në sanatorium ka kurse për lidhjen e librave?”.
Ai që ia bën këtë pyetje Suzanës Fushé, është një djalosh njëzetvjeçar, i sëmurë nga tuberkulozi. Që kur ishte dymbëdhjetë vjeç, ëndërronte të bëhej zjarrfikës, por mushkëritë e tij të sëmura, e penguan ta realizojë këtë ëndërr. Edhe sikur të shërohet, nuk do të mund të punojë në mes të tymit.
Suzanë Fushé ka të njëjtën moshë, e nuk është aspak më e shëndoshë se ai. Madje, përveçse tuberkuloze, është edhe e paralizuar. Po nga sytë e saj shpërthen energji vullkanike. Vajza ndryn në zemër një fshehtësi. Që kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, një zë misterioz e siguroi se jeta e saj do të shndërrohej nga dashuria e Zotit, pa e sqaruar në ç’mënyrë. Një vit më pas u sëmur rëndë. U ligështua fizikisht, por jo shpirtërisht: ishte e sigurtë se Zoti do të vepronte në jetën e saj.
“Zoti më dha më parë energjinë, pastaj më vuri në provë me sëmundjen”, mendonte. E kështu, sapo arriti në sanatorium, nisi menjëherë të organizonte shokët e mjerimit. Të gjithë duhet të vinin në dispozicion të të tjerëve, aftësitë e tyre: një vajzë, që punonte si sekretare, nisi t’u mësojë të tjerëve makinën e shkrimit; një ish këpucar, u mësoi shokëve si t’i qepin shojet e këpucëve të grisura.U ngrit edhe një laborator për lidhjen e librave, që e drejtonte një ish-libralidhës.
Në fillim të shekullit XX, në kohën mes dy luftërave, shumica e të sëmurëve dhe e njerëzve me kufizime fizike ose mendore, që dilnin nga sanatoriumi, detyroheshin të bënin një jetë të mjerë. Askush nuk merrej me ta, duke menduar se sëmundja ose gjymtimi e bën njeriun të paaftë për punë. Kështu, në se nuk kishin familje, që merrej me ta, jetonin në vetmi të frikshme e në varfëri të skajshme. Ky trajtim, që u bëhej të sëmurëve, e rebeloi Suzanën: për të rifituar shëndetin e tyre fizik e mendor kishte shumë rëndësi që ta ndjenin veten njerëz të dobishëm. Pastaj, nuk ishin më pak të aftë për punë, sesa njerëzit e shëndoshë. Madje shpesh herë tregoheshin edhe më të duruar e më vullnetmirë.
Më vonë Suzana, akoma e paralizuar, themeloi Adapt, apo Lidhjen e Adaptimit të invalidëve për punë: sot kjo Lidhje ka më se tridhjetë institute në Francë, ku handikapatët mund të mësojnë mjeshtri të reja e ku ndihmohen të gjejnë punë të përshtashme për ta.
Suzana u shërua nga paraliza pas tetëmbëdhjetë vjetësh, gjatë të cilave sigurisht nuk ndenji duarkryq. E deri sa vdiq, më 1989, në moshën tetëdhjetë e tetë vjeçare, vijoi t’u shërbente vëllezërve të sëmurë.Kështu, duke e lënë veten në dorë të Zotit, arriti t’u japë shpresë mijëra të pashpresëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.