2008-10-23 17:56:19

365 ditë: "Laboratorët e artit kishtar: artistët, kasnecë të misterit hyjnor".


(23.10.2008 RV)RealAudioMP3 Të krijuar në vitin 1919 nga dy piktorë me famë, Moris Dënis e Zhorzh Devaljè, laboratorët e artit kishtar përgatisnin artistë për stolisjen e kishave. Në këto shkolla jepeshin mësime pikture, skulpture, qeramike e, sidomos, mësime mbi artin e realizimit të vetratave. Në Paris, nën hijen e Kishës Shën Zhermen-dë– Prè, artistët jetonin gati si të ishin në familje, duke i kushtuar vëmendje kryesisht përmasës fetare; prandaj luteshin gjithnjë, para fillimit të punës, gjatë saj e në përfundim të ditës. Kur shtroheshin në sofër, nisnin diskutimet për artin, për rolin e natyrën e tij.
Ja disa copa prej këtyre bisedave, mbledhur aty-këtu:
“Ç’mendoni për artin kishtar?”.
“Nuk e fsheh se më duket ide interesante, por pak si e çuditshme. Interesante, sepse arti kishtar ekziston vërtetë; kishat romanike e gotike e dëshmojnë këtë si s’ka më mirë. I çuditshëm, sepse artistët mund të realizojnë vepra, që flasin mrekullisht për Hyjin, edhe kur nuk janë besimtarë ose të krishterë. Më duket se Rembrandi nuk ishte besimtar i flaktë. Po kështu edhe Leonardo e Mikelanxhelo. E pra krijuan vepra të përsosura arti kishtar, ashtu si askush tjetër para e ndoshta, edhe pas tyre.
“Unë besoj se artistët duhet të kenë talent të veçantë e frymëzim të veçantë, për t’i mishëruar si duhet në art fjalët e Jezusit. Ndërsa një artist mediokër, sado besimtar të jetë, nuk mund të bëjë kurrë art të vërtetë kishtar”.
“Kështu mund të themi se arti kishtar nuk është vetëm pronë e besimtarëve!?”.
“Sigurisht jo, sepse çdo njeri, në përgjithësi, është i shenjtë. Nuk mund t’i ndajmë fenë mënjanë e jetën e përditshme në anën tjetër. Jemi krijuar nga Hyji sipas shembëlltyrës së tij një herë të vetme. Eshtë pikërisht kjo shembëlltyrë që ndjehet në krijimin e artistit të madh, në thellësinë e shpirtit të tij hyjnor…”.
“Atëherë mund të themi se ju nuk e shikoni artin kishtar, si lloj më vete, është kështu, apo jo?”
“Unë mendoj se ka një art që zgjedh tema fetare, por edhe se shenjtëria duhet kërkuar në gjithë misterin e njeriut, të jetës, të Jezusit, të Zotit. Këto janë misteret, që na i komunikojnë artistët e mëdhenj”.
“Po e bukura? Ç’mendoni për të bukurën?”.
“Gjithçka është e bukur, e mirë dhe e drejtë, të afron tek Zoti, ashtu si të largon gjithçka është e shëmtuar, e keqe dhe e shtrembër! E tërë jeta jonë është një kryevepër arti!”.Laboratorët e artit kishtar realizuan, ndërmjet tjerash, veprat artistike që zbukurojnë kishën pariziane të Shpirtit Shenjt. Por u mbyllën me vdekjen e themeluesve të tyre. Mund të admirohen edhe sot e kësaj dite shumë vepra të Moris Dënis në muzeun e kuvendit të Shën Zhermen-an-Lej pranë Parisit. Është piktor i madh, talenti i të cilit të ndihmon për të perceptuar praninë plot mirësi të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.