2008-10-22 18:17:20

U paraqit sot vëllimi i parë i Veprës së plotë të Jozef Racinger, që përmbledh shkrimet deri në vitin 2005.


(22.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit u paraqit vëllimi i parë i ‘Opera Omnia’ – Veprës së plotë, me 16 vëllime, e cila do të përmbledhë gjithë prodhimin e Jozef Racinger, që nga vitet e universitetit, deri në vitin 2005. Gjatë Konferencës së Shtypit u nënvizua posaçërisht se kjo nismë botuese nuk është thjeshtë katalogim i teksteve, por dëshmi jetike e teologjisë së Benediktit XVI.
Gjatë paraqitjes, folën imzot Gerhard Ludvig Myler, ipeshkëv i Regensburgut dhe don Gjuzepe Kosta, drejtor i Shtëpisë Botuese të Vatikanit.
Përmbledhja e shkrimeve të panjohura të Jozef Racinger që kur ishte pedagog i ri universitar, deri në zgjedhjen në fronin e Shën Pjetrit, ka një horizont letrar e teologjik shumë të gjërë: Opera Omnia, që përfshin punimin e diplomës, mbrojtur në vitin 1953 dhe disa libra, ndërmjet të cilëve dhe “Hyrje në krishterim” (1968) mbyllet me autobiografinë, titulluar “Jeta ime” dhe një bibliografi të plotë të shkrimeve të Jozef Racinger. Sintetizohen, kështu, më se 50 vjet krijimtarie, duke përfshirë edhe homelitë, meditimet e recensionet, bazuar mbi Fjalën dritëdhënëse të Hyjit drejtuar njeriut. Këtë nënvizoi imzot Gerhard Ludvig Myler:

"Shkrimet e tij bashkojnë njohuritë shkencore të teologjisë me një fe të gjallë e të jetuar. Benedikti XVI ka ditur gjithnjë të përfitojë nga njohja e jashtëzakomshme e historisë, e teologjisë dhe e dogmave, të cilat ai i transmeton në mënyrë ndriçuese, duke vënë në dukje vizionin e njeriut, mbi të cilin ngrihet gjithçka. E kjo bëhet e kuptueshme për një pjesë të mirë të lexuesve, falë gjuhës që përdor Jozef Racinger. Përmes një fjalori mjeshtror, tematika të ndërlikuara, bëhen të tejdukshme, pa e prekur kuptimin e tyre të thellë”.

 
Projekti i botimit u hartua në bashkëpunim me Benediktin XVI. Çdo vëllim i veçantë – shtoi imzot Myler – u autorizua personalisht nga Ati i Shenjtë. Katër vëllimet e para të Veprës së plotë prekin kryesisht tematika liturgjike, siç na shpjegon don Gjuzepe Kosta:

“Përmbledhja e shkrimeve hapet me dy punime me karakter shkencor: me punimin e diplomës mbi doktrinën agostiniane të Kishës e me diplomën e kualifikimit, kushtuar mësimit mbi doktrinën e zbulesës të Shën Bonaventurës. Vëllimi i tretë merr shtytjen nga Konferenca përuruese e Profesorit Racinger me temë “Zoti i fesë, Zoti i filozofëve”, mbajtur në Bon më 1959. Vëllimi i katërt fillon me ‘Hyrje në krishtërim’, shkruar më 1968 e përmbledh edhe tekste të tjera, me tematikë të ndryshme, si praktikimi i fesë, pagëzimi, kthimi në fe, ndjekja e Krishtit”.

 
Botimi i vëllimit të parë, me përkthimin në gjuhën italiane, nën kujdesin e Shtëpisë Botuese të Vatikanit, parashikohet të dalë në pranverën e ardhshme. Botimi i plotë në gjuhën gjermane dhe përkthimi në gjuhën italiane pritet të kryhen brenda 6 vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.