2008-10-21 14:25:55

Në Bruksel, filluan punimet e Konferencës kristiano-myslimane


(21.10.2008 RV)Filluan dje në Malines-Bruksel, punimet e Konferencës kristiano-myslimane me temë “Të jesh qytetar evropian e besimtar: të krishterët e myslimanët si partnerë aktivë në shoqëritë evropiane”, organizuar nga Komiteti i Këshillit të Konferencave Episkopale Evropiane (CCEE) dhe i Konferencave të Kishave Evropiane (KEK) për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë. Takimi, me karakter studimi, dëgjimi e njohjeje, ka për qëllim thellimin e kuptimit të qytetarisë e të praktikimit të lirë të fesë në kontekstin evropian, mbi bazën e Kushtetutave e të Konventave lidhur me të drejtat e njeriut, duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë praktikimit personal e komunitar të bindjeve fetare e të traditave kulturore. Synimi përfundimtar i sesioneve plenare e i punimeve në grupe, është të kërkohen rrugë konkrete bashkëpunimi ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në shoqëritë përkatëse, duke i kapërcyer konfliktet e tensionet e së kaluarës e të së sotmes, për ndërtimin e bazave të shëndosha të besimit reciprok.
Katër janë temat kryesore, që po diskutohen: roli i feve në shoqërinë shekullare; fetë ndërmjet institucioneve e besimit personal; mirëkuptimi reciprok ndërmjet të krishterëve e myslimanëve; roli i edukimit në këtë mirëkuptim dhe përgjigja që duhet t’i japin fetë ekstremizmit dhe fondamentalizmit.
Reflektimi mbi këto probleme themelore ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin e identitetit evropian, të bazuar mbi tolerancën reciproke fetare e mbi pluralizmin kulturor, e jo më pak, të edukojë vetëdijen e pergjegjësisë morale që ka secili për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, paqen, drejtësinë e pasuritë e përbashkëta të gjithësisë.
Sot, në Kapelën e Krishtit të Ngjallur, në Bruksel, u mbajt një takim publik me temë “Evropa e feja”, në të cilin ishte i pranishëm edhe Komisari Evropian, Ján Figel, përgjegjës për Arsimin, Kulturën e Rininë. Në Vitin Evropian kushtuar Dialogut Ndërkulturor, Konferenca e Malines dëshiron të vërë në dukje aftësinë dhe vullnetin e myslimanëve e të krishterëve që të bashkëpunojnë për të mirën e shoqërive civile evropiane, për integrimin e për dialogun ndërmjet qytetarëve të të gjitha traditave fetare e kulturore.







All the contents on this site are copyrighted ©.