Me 21 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gasprin e Bufalos.
(21.10.2008 RV)Më 10 dhjetor 2006,
në përurimin e kishës romake kushtuar Zojës ‘Yll i ungjillëzimit’, Benedikti XVI pati
theksuar: “Sidomos në rrethanat e shoqërisë sonë, gjërësisht të shekullarizuar, famullia
është fanar që rrezaton dritën e fesë, duke i dhënë kuptim e shpresë jetës së njerëzve
e të familjeve” – fjalë pas të cilave shuguroi elterin e kishës së re. E pikërisht
në këtë elter janë vendosur relike të Shën Gasprit të Bufalos, pranë atyre të Shën
Bernardit të Kiaravales, të Shën Françesk Saverit, e të Shën Katerinës Laburè, figura
që- siç theksoi Benedikti XVI - na kujtojnë ungjillëzimin dhe fenë e apostujve, drita
e vërtetë që ndriçon Kishën. I lindur në Romë më 6 janar 1786, që i vogël iu kushtua
lutjes e pendesës. I jati ishte kuzhinier i princit Altieri; e ëma merrej me punët
e familjes. Ishe ajo që i dha të birit një edukatë të vërtetë të krishterë. I shuguruar
meshtar më 31 korrik 1808, u specializua në ungjillëzimin e karrocierëve e të banorëve
të katundeve romake. U dënua me internim, sepse nuk pranoi të betohej për besnikëri
ndaj Napoleonit e kaloi katër vjet në burgjet e Bolonjës, Imolës e Korsikës. Fatin
e tij e pati më pas vetë perandori francez, që u internua në Ishullin e Shën Helenës,
ku edhe vdiq. Ndërsa shenjti i ardhshëm u kthye në Romë, ku Papa Piu VII i besoi detyrën
të përshkonte Italinë duke predikuar e duke iu kushtuar posaçërisht misioneve popullore.
Tepër i devoçëm i Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, më 15 gusht 1815 themeloi
Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të Krishtit. Rregulltarët e këtij urdhëri i kushtohen
predikimit dhe mësimdhënies. Në vitin 1834, së bashku me Marinë de Matia, themeloi
degën femërore të Kongregatës: “Motrat e adhurimit të Gjakut të paçmueshëm të Jezu
Krishtit”. Vdiq në Romë më 28 dhejtor 1837. U shpall shenjt nga Papa Piu XII më
12 qershor 1954.