2008-10-21 09:56:26

Kisha është Korpi i Krishtit


(15.10.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

në katekizmin e së mërkurës së kaluar fola për lidhjen e Palit me Jezusin në jetën e tij tokësore para-Pashkëve. Pyetja ishte: “Ç’ka ditur Pali për jetën e Jezusit, për fjalët e tij, për mundimet e tij?”. Sot dëshiroj të flas për mësimet e Palit kushtuar Kishës. Duhet të fillojmë me pohimin se kjo fjalë, ‘Chiesa’ në gjuhën italiane; ‘Église’ në atë franceze; ‘Iglesia’ në spanjisht, është marrë nga greqishtja “ekklesía’, por vjen nga Besëlidhja e Vjetër e do të thotë mbledhje e popullit të Izraelit, e thirrur nga Zoti; posaçërisht mbledhja tek këmbët e Malit Sinai. Sot ka kuptimin e bashkësisë së re të besimtarëve në Krishtin, që e ndjejnë veten bashkësi e Hyjit, thirrje e re e mbarë popujve nga ana e Hyjit e para Tij. Fjala ‘ekklesía’ duket për herë të parë në penën e Palit, i cili është autori i parë i një shkrimi të krishterë. Këtë e gjejmë në incipit apo në fillimin e Letrës së parë drejtuar Selanikasve, në të cilën Pali i drejtohet tekstualisht ‘Kishës së Selanikasve’ (cfr pastaj edhe ‘Kisha e Laodiçezëve” në Kol 4,16). Në Letrat e tjera ai flet për Kishën e Hyjit që është në Korint (1 Kor 1,2; 2Kor 1,1) , që është në Galací (Gal 1,2 etj) – për kishat e veçanta, pra, - por thotë edhe se persekutoi ‘Kishën e Hyjit’: jo një bashkësi të caktuar vendase, por ‘Kishën e Hyjit’. Kështu ne vërejmë se fjala ‘Kishë’ ka kuptim shumëplanësh: nga njëra anë tregon bashkësitë e Hyjit në një vend të caktuar (një qytet, një vend, një shtëpi), por nga ana tjetër, tregon edhe Kishën në tërësinë e saj. E kështu shikojmë se “Kisha e Hyjit” nuk është shumë e bashkësive të ndryshme vendase, por se Kishat e ndryshme vendase, nga ana e tyre, janë realizimi i Kishës së vetme të Hyjit. Të gjitha së bashku janë “Kisha e Hyjit”, që u prin Kishave të veçanta vendase dhe shprehet e realizohet në to.

Ka rëndësi të vërejmë se fjala “Kishë” pothuajse gjithnjë shoqërohet nga cilësimi “e Hyjit”: nuk është shoqatë njerëzore e lindur nga ide e interesa të përbashkëta, por thirrje e bërë nga vetë Zoti. Zoti e mbledh e prandaj është një e vetme në të gjitha marrëdhëniet e saj e është gjithnjë Kisha e Zotit. Uniteti i Hyjit krijon unitetin e Kishës në të gjitha vendet ku ndodhet. Më pas, në Letrën drejtuar Efezianëve, Pali do ta përpunojë shumë herë konceptin e unitetit të Kishës, si vazhdimësi të konceptit të Popullit të Hyjit, Izraelit, të cilin pofetët e konsideronin si ‘nusja e Hyjit’, i thirrur të jetonte një marrëdhënie martesore me Të. Pali e paraqet Kishën e Hyjit si ‘fat të Krishtit’ në dashuri, një trup i vetëm e një shpirt i vetëm me vetë Krishtin. Dihet se Pali i ri qe kundërshtar i egër i lëvizjes së re, të themeluar nga Kisha e Krishtit. Qe kundërshtar, sepse pa në këtë lëvizje një kërcënim kundër besnikërisë ndaj traditës së Popullit të Hyjit, që gjallëronte nga besimi në një Zot të vetëm. Një besnikëri e tillë gjente shprehjen e vet sidomos në rrethprerjen, në mbajtjen e rregullave të pastërtisë së kultit, në mospërdorimin e disa gjellëve, në respektimin e së shtunës. Këtë besnikëri izraelitët e kishin paguar me gjakun e martirëve, në periudhën e Makabejve, kur regjimi helenist donte t’i detyronte të gjithë popujt t’i përshtateshin kulturës helenistike. Shumë izraelitë e patën mbrojtur me gjak traditën e veçantë të Izraelit. Martirët e patën paguar me jetë identitetin e popullit të tyre, që shprehej përmes këtyre elementeve. Pas takimit me Krishtin e ngjallur, Pali e kuptoi se të krishterët nuk ishin tradhtarë; përkundrazi, në situatën e re, Hyji i Izraelit, përmes Krishtit, e kishte shtrirë thirrjen e vet, duke ua drejtuar të gjithë njerëzve e duke u bërë kështu, Zoti i gjithë popujve. Në këtë mënyrë realizohej besnikëria ndaj Hyjit të vetëm; nuk ndjehej më nevoja për shenja dalluese, të krijuara nga normat e ligjet e veçanta, sepse të gjithë ishin të thirrur, në larminë e tyre, të bënin pjesë në një popull të vetëm, në popullin e Hyjit të ‘Kishës së Zotit’ në Krishtin.

Ajo që Pali e pati tepër të qartë në situatën e re, ishte vlera themelore e themeluese e Krishtit dhe e ‘fjalës’ që Ai kumtonte. Pali e dinte mirë se jo vetëm që nuk mund të bëhesh i krishterë me detyrim, por edhe se në formën e brendshme të bashkësisë së re, pjesët institucionale lidheshin në mënyrë të pashmangshme me ‘fjalën’ e gjallë, me kumtimin e Krishtit të gjallë, në të cilën Hyji i hap rrugën mbarë popujve dhe i bashkon në popullin e vetëm të Hyjit. Kuptohet atëhere pse Luka në Veprat e Apostujve përdor shumë herë, në lidhje me Palin, sintagmën ‘me kumtue Fjalën” (Vap 4,29.31; 8,25; 11,19; 13,46; 14,25; 16,6.32) duke dashur qëllimisht të nxjerrë sa më shumë që të ishte e mundur në pah, karakterin vendimtar të ‘Fjalës së Hyjit’ në kumtim. Konkretisht kjo fjalë s’është tjetër, veçse kryqi e ngjallja e Krishtit, në të cilën u përmbushën Shkrimet Shenjte. Misteri i Pashkëve, që shkaktoi kthesën e tij në rrugën e Damaskut, është në qendër të predikimit të Apostullit (cfr 1Kor 2,2; 15, 14). Ky mister, i kumtuar në fjalë, realizohet në sakramentet e Pagëzimit e të Eukaristisë e bëhet, pastaj, realitet në dashurinë e krishterë. Veprimtaria ungjillëzuese e Shën Palit nuk ka synim tjetër, veçse të themelojë bashkësinë e besimtarëve, popullin e Hyjit, në Krishtin. Kjo ide është e rrënjosur në vetë etimologjinë e fjalës ‘“ekklesía’, të cilën Pali, e me të mbarë krishterimi, e zgjodhi në vend të termit ‘sinagogë’, jo vetëm pse në zanafillë i pari është më laik (sepse rrjedh nga praktika greke e mbledhjes politike, e jo thjeshtë fetare), por edhe pse të krijon drejtpërdrejtë idenë më teologjike të një thirrjeje ab extra (nga jashtë), e jo thjeshtë të një mbledhjeje të përbashkët; besimtarët janë të thirrur nga Hyji, i cili i mbledh në një bashkësi, në Kishën e vet.

Në këtë vijë mund ta kuptojmë edhe konceptin fillestar të Kishës si ‘Korp i Krishtit”, përdorur së pari nga Shën Pali. Lidhur me këtë, duhet të kemi parasysh dy përmasat e këtij koncepti. Njëra është me karakter sociologjik e, sipas saj, korpi përbëhet nga gjymtyrët e veta e nuk mund të jetojë pa to. Ky shpjegim duket në Letrën drejtuar Romakëve e edhe në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, në të cilën Pali merr një figurë, që ekzistonte në sociologjinë romake: ai thotë se një popull është si trupi me gjymtyrë të ndryshme. Secila nga gjymtyrët ka funksionin e vet, por të gjitha – edhe më të voglat e më të parëndësishmet në dukje – janë të nevojshme, që trupi të jetojë e të realizojë lidhjen e vet organike. Me të drejtë Apostulli vëren se në Kishë ka thirrje të shumta: profetë, apostuj, mësues, njerëz të thjeshtë, të gjithë të thirrur ta jetojnë ditë për ditë dashurinë e krishterë, të gjithë njëlloj të nevojshëm për të realizuar bashkimin e gjallë të këtij organizmi shpirtëror.
Sipas shpjegimit tjetër, Kisha është vetë Korpi i Krishtit. Pali mendon se Kisha nuk është vetëm organizëm, por bëhet vërtet Korpi i Krishtit në sakramentin e Eukaristisë, ku të gjithë e marrim Korpin e Tij dhe bëhemi realisht Korpi i Tij. Realizohet kështu, misteri martesor, që i bën të gjithë një trup të vetëm e një shpirt të vetëm në Krishtin. E kështu realiteti shkon shumë përtej shembëllesës sociologjike e shpreh thelbin më të thellë, dmth bashkimin e gjithë të pagëzuarve në Krishtin, të cilët Apostulli i konsideron ‘një’ në Krishtin, të bërë një në sakramentin e “Korpit të Tij”.
Duke u shprehur kështu, Pali dëshmon që e di mirë, e na lë ta kuptojmë edhe ne, se Kisha nuk është e tija e nuk është as jona: Kisha është Korpi i Krishtit, është ‘Kisha e Hyjit’, “ara e Hyjit”, ‘ndërtesa e Hyjit’… ‘tempulli i Hyjit’ (1 Kor 3,9.16).
Ky emërtim i fundit është posaçërisht interesant, sepse i jep një rrjete marrëdhëniesh ndërvetjake, termin i cili zakonisht shërbente për të treguar një vend fizik, që konsiderohej si i shenjtë. Lidhja e Kishës me tempullin fiton dy përmasa plotësuese: nga njëra anë bashkësia kishtare fiton karakteristikën e veçimit e të pastërtisë së ndërtesës shenjte por, nga ana tjetër, e kapërcen konceptin e një hapësire materiale, për t’ia dhënë këtë vlerë realitetit të një bashkësie të gjallë feje. Në se më parë tempujt shikoheshin si vende të pranisë së Hyjit, tani dihet e shihet se Zoti nuk banon më në ndërtesa të ngritura me gurë, por vendi i pranisë së Hyjit në botë është bashkësia e gjallë e besimtarëve.

Meriton një diskutim më vete termi ‘populli i Hyjit’, të cilin Pali e përdor kryesisht për popullin e Besëlidhjes së Vjetër e pastaj për paganët, që ‘nuk ishin popull’, por që u bënë edhe ata popull i Hyjit, falë lidhjes së tyre me Krishtin, përmes Fjalës e sakramentit. E në fund, edhe një ngjyrim i mbram. Në Letrën drejtuar Timoteut, Pali e cilëson Kishën si ‘shtëpinë e Hyjit”(1 Tm. 3,15); e ky është një përkufizim vërtetë origjinal, sepse e shikon Kishën si strukturë komunitare, në të cilën ndërmjet njerëzve krijohen marrëdhënie të ngrohta me karaker familjar. Apostulli na ndihmon ta kuptojmë gjithnjë më thellë misterin e Kishës, si mbledhje e Hyjit në botë, në përmasat e saj të ndryshme. Kjo është madhështia e Kishës e madhështia e thirrjes sonë: jemi tempull i Hyjit në botë, vend ky Zoti banon me të vërtetë, e njëkohësisht jemi bashkësi, familje e Hyjit, i Cili është dashuri. Si familje e shtëpi e Hyjit, duhet të realizojmë në botë dashurinë e Hyjit e kështu, me forcën që vjen nga feja, të jemi vend i shenjtë i pranisë së Tij.
Ta lusim Zotin të na japë hirin për të qenë realisht gjithnjë më shumë Kisha e tij, Korpi i Tij, vendi i pranisë së dashurisë së Tij në botën tonë e në historinë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.