2008-10-21 14:32:45

365 ditë: Sharl dë Fuko, ungjillëzues i banorëve të shkretëtirës.


(21.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në një ditë të bukur të vitit 1890, në Kishën vigane të Shën Agostinit në Paris, një i ri është zhytur në lutje. Ka shumë mundësi të jetë aty prej orësh e, prej orësh, vijon të përsëritë: “Zoti im, në se ekziston me të vërtetë, bëj që të të njoh!”. Papritmas ngrihet, i vendosur, e i afrohet meshtarit që po rrëfen aty pranë. Sharl dë Fuko shpreson se meshtari do t’i japë, më në fund, përgjigjet që pret prej kohe. Në të vërtetë djaloshi Sharl e ka zbuluar vetëm pak kohë më parë fenë e krishterë e ka mbetur krejtësisht i mahnitur. E, megjithatë, diçka i mungon, për të besuar me gjithë zemër. E pikërisht këtë dritëz kërkon, me bindjen se do t’i dhurojë fenë.
“Mirëdita Atë” - e përshëndet Sharli priftin, “nuk kam ardhur për t’u rrëfyer, por për të folur me ju për Zotin. Dua ta njoh plotësisht, po nuk arrij dot. Me sa duket, kam nevojë për ndihmë”.
Meshtari nuk ia zgjat shumë. “Gjunjëzohuni e rrëfehuni!”, i thotë.
I çuditur nga kjo e papritur, Sharli bindet. Gjunjëzohet e nis të flasë... E hiri i Zotit ia shndrit mendjen: takon Hyjin. Papritmas djaloshi dëshiron vetëm një gjë: të jetojë për Zotin. Që nga ky çast Sharli vendos të dhurojë gjithçka e të braktisë gjithçka. Mjaft më me kërkimin e së vërtetës, atje ku nuk është. Mjaft me ëndrra. Me dashuriçka, me zdërhallje, me dehje. Gjithë kjo tashmë i përket së kaluarës. Sharli dëshiron të bëhet rregulltar... menjëherë! Atë Huvelini, meshtari që e rrëfeu, kërkon ta qetësojë, e fton të durojë. E këshillon të lexojë Ungjillin e të shtegtojë në Tokën Shenjte. Atëherë Sharli njeh nga afër varfërinë e vuajtjen e Krishtit, që u flijua nga dashuria për njerëzit dhe vendos menjëherë: do të jetë i varfër ndërmjet të varfërve, për t’i përngjarë Zotit të tij.Djaloshi Sharl provon disa urdhëra rregulltare, drisa gjen rrugën e tij të vërtetë. Më 5 janar 1890 heq dorë nga gjithçka, edhe nga emri. Tani e tutje do të quhet vëlla Karli i Jezusit e do të jetë murg trapist. Disa muaj më pas niset për në Siri e pastaj për në Algjeri, ku rigjen botën arabe, që e pati joshur aq shumë kur, si ushtar i ri, qe dërguar atje me mision. E pikërisht në Jug të Tamanrasetit, në mes të Tuaregëve të Hogarit, i lind ideja të themelojë një bashkësi, që jeton në varfëri ndërmjet myslimanëve, si dëshmi e dashurisë së Krishtit për të gjithë. Po Sharl de Fuko nuk arrin ta shohë lindjen e bashkësisë së tij. Më 1 dhjetor 1916 disa cuba tuaregë e sulmojnë vetmitoren ku rregulltari jeton me lëmoshë, në vetmi e lutje... dhe e mbysin. Me gjithë këtë, përshpirtëria e tij vijon të përhapet në bashkësi të panumërta, që ecin mbi gjurmët e tij në rrugën e dashurisë së krishterë, në gjirin e popujve arabë e të botës mbarë, ku njihen si “familja shpirtërore e Sharl Fukosë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.