2008-10-20 14:20:06

365 ditë: "Rruzarja miqëson armiqtë e Luftës së madhe".


(19.10.2008 RV)Jemi në vitin 1915 e Evropa, prej një viti, është në luftë. Nuk quhet ende lufta e parë botërore, sepse askush nuk e di se pas saj do të shpërthejë një tjetër, që do të quhet e dyta.
Shumë shpejt do të njihet me emrin ‘Lufta e Madhe’, sepse është më gjakatare se të gjitha luftërat që janë luftuar deri asokohe. Papa Benedikti XV e quan ‘kërdi e kotë’. Qindra-mijëra njerëz vdesin ditë për ditë. Në përfundim të luftës, më 1918, numërohen miliona të vdekur.
Forcat që ndeshen janë dy: nga njëra anë francezët, anglezët e italianët; nga tjetra, gjermanët e austriakët. Papa s’gjen ngushëllim. Përpiqet me të gjitha forcat ta ndalojë gjakderdhjen. U drejton thirrje të vazhdueshme armiqve të bëjnë paqe.
“Është marrëzi”, thotë, “t’i shikosh popujt e krishterë duke mbytur njëri-tjetrin. Francezë, italianë, gjermanë, të gjithë bij të një Zoti të vetëm, të gjithë vëllezër!”.
Po qeveritë nuk duan ta dëgjojnë as zërin e Papës e as atë të vetë Zotit, e vijojnë luftën.
Pavarësisht nga gjithë kjo kasaphanë, në vitin 1915 një ushtar francez ka një histori të bukur për të treguar. E për këtë arsye, takohet me një gazetar të gazetës së krishterë ‘La Croix’ (Kryqi). Emocionohet thellësisht edhe tani, kur e përshkruan skenën, në të cilën ishte i pranishëm në një fushë beteje, aty nga lindja e Francës, ku zhvilloheshin luftimet më të ashpra.
“Kjo që po ju tregoj, ndodhi pas një beteje. Isha i plagosur e nuk mund të lëvizja. Kisha pranë një ushtar francez e një gjerman, të dy shumë të rinj e të dy të plagosur për vdekje. Pashë sesi francezi futi dorën poshtë uniformës. Nxori që aty një kryq të vogël, të cilin e puthi me përkushtim të madh. Pastaj nisi të thotë një Falemimëri. E thoshte në latinisht, me zë të ligësht, por shumë të qartë: “Ave Maria, gratia plena, dominus tecum...” E në këtë pikë, gjermani që mezi merrte frymë aty pranë… e dini ç’ bëri? Hapi sytë e solli kokën nga francezi. E në sytë e tij nuk kishte kurrfarë urrejtjeje, përkundrazi, kishte dashuri. Pastaj nisi edhe ai të thotë ‘Falemërinë’, gjithashtu në latinisht. Të dy armiqtë shkëmbyen një vështrim, që s’kishte nevojë për fjalë. Francezi, duke lëvizur me vështirësi të madhe, iu afrua gjermanit e ia vuri kryqin tek buzët. Tjetri e puthi. E në sa po i jipnin njëri-tjetrit dorën miqësisht, ia behu vdekja. E ata mbetën ashtu, me duart e ngrira shtrënguar.. si vëllezër”.
Gazetari e ushtari heshtën një copë herë të mirë. Pastaj gazetari, duke e thyer heshtjen, tha: “Duhet ta shkruajë këtë histori në gazetën tonë. Njerëzit duhet ta kuptojnë kotësinë e kësaj lufte, kotësinë e të gjitha luftërave, në të cilat vëllezërit vriten, si të ishin armiq për vdekje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.