2008-10-19 18:49:39

109-vjetori i lindjes së martirit Atë Gjon Fausti S.J.


(19.10.2008 RV) Emrin e Atë Faustit tani mund ta lexojmë në kalendarin e Kishës universale. Njihet si martir i Kishës katolike gjatë persekutimit fetar në Shqipërinë komuniste; konsiderohet si pararendës i dialogut islamiko –kristian e si dëshmitar i dashurisë së krishterë e i fesë në kohët tona.
Janë vetëm disa nga titujt që i njihen nga bibliografia tejet e pasur, e cila flet për jetën dhe veprimtarinë misionare të jezuitit martir, lindur në Broco, pranë Breshias (Itali) më 19 tetor 1899 e pushkatuar më 4 mars 1946 në Shkodër (Shqipëri) te Zalli i Kirit, pas mureve të varrezës së Rrëmajit, ku jehoi e jehon ende brohoritja e tij dhe e martirëve të tjerë shqiptarë, që i ranë përkrah: “Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipëria”.
Me sjelljen e me guximin e tij, Atë Fausti u dëshmoi si të krishetrëve, ashtu edhe myslimanëve të Shqipërisë, se ata që besojnë në Zotin e në jetën e pasosur, nuk janë skllevër të kënaqësive të kësaj bote, skllevër të etjes për pushtet, për sukses, për pasuri, por janë në gjendje ta përballojnë me qetësi e guxim vdekjen për t’i qëndruar besnikë një ideali të vetëm, të pavdekshëm, atij të Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.