2008-10-18 13:13:58

Rubrika 365 ditë:"Sharl Pegì, shtegtar drejt Shartr".


(18.10.2008 RV)“Ej, Sharl, ç’kemi? Dukesh tejet i shqetësuar?”.
Jemi në vitin 1912 e sot, e hënë, Sharl Pegi arriti në punë me sy të përgjumur. Shihet qartë se e nuk e ka kokën në vend, gjë që e vëren menjëherë miku i tij, Danieli.
“Vë bast se je duke menduar përsëri për probleme politike!”.
Danieli e di se politika është gjëja e parë që i intereson Sharl Pegisë. Pegi është poet, por edhe gazetar, që e kalon kohën duke luftuar beteja të mëdha me artikujt e tij. Shumë gjëra e bëjnë të tërbohet fare: padrejtësitë e njerëzve të veshur me pushtet, gënjeshtrat e ca si politikanëve, epërsia e parasë… Pegì është nga ata, që bota i quan idealistë, ata që ëndërrojnë të ndërtojnë një botë më të mirë, më të ndershme, në të cilën ka më pak maskarenj e hajdutë. “Sharl, unë e admiroj fisnikërinë tënde, por më duket se po e tepron. Do të vuash shumë, në se dëshiron t’i ndreqësh gjithë poshtërsitë që shikon rreth teje në Francë... Janë shumë, tepër, miku im!”.
Më në fund Sharli i hedh një sy mikut e i thotë, me një buzëqeshje, që ia ndriçon gjithë fytyrën: “S’e ke kuptuar Daniel. Jam mrekullisht mirë. Sapo jam kthyer nga Shartr; ja kjo është e gjitha!”.
“Përsëri? Po çfarë ke shkuar të bësh atje?”.
“Një shtegtim në këmbë për t’iu lutur Zojës së Bekuar. U nisa nga Parisi të premten. Doja ta falënderoja Zotin, që ma shëroi t’im bir, Pierrin, nga një sëmundje e rëndë. Doja t’ia besoja gjithë familjen Zotit!”.
“Po ti ke thënë gjithnjë se nuk je i krishterë... atëherë je duke i bërë vetes pyetje të rëndësishme?”.
“Nuk jam duke i bërë kurrfarë pyetjesh, Daniel. Jam i krishterë me gjithë zemër!”.
“Pa më thuaj, ç’të ka ndodhur, që ke ndryshuar kaq shumë?”.
“Kur shtegton drejt Shartr, gjindesh në një hapësirë pa kufi, që duket si det me grurë. E në horizont, përskaj detit, duken dy këmbanaret e katedrales. Pikërisht duke ecur drejt kullave, i lodhur e i këputur nga udha e gjatë, ndjeva në shpirt diçka të jashtëzakonshme. Ky shtetgtim po më shndërronte. Të shtunën, arritja në katedrale ishte një emocion tronditës. Nuk ndjeja më asgjë, as lodhje as dhimbje këmbësh. Papritmas të gjitha të metat e mia ishin zhdukur. E nisa të lutesha, si nuk isha lutur kurrë!”.Dy vjet pas këtij shtegtimi, në vitin 1914, Sharl Pegi u vra në fushën e betejës. Por para se të nisej për në luftë, i kërkoi familjes të shtegtonte një herë në vit drejt Shartr, për kujtim të tij. Gruaja, miqtë e pastaj fëmijët e respektuan dëshirën e tij. Shumë vjet më pas, në vitin 1930, bijtë e Pegi shkuan në Shartr, të shoqëruar nga pesëqind miq studentë. Në vitin 1945 shtegtarët u bënë katër mijë. E në vitin 1967, njëzet mijë. Edhe sot e kësaj dite mijëra njerëz shtegtojnë drejtë Shartr për kujtim të Poetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.