2008-10-18 14:56:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar ‘A’


(18.10.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor për çdo të shtune me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Të dashur dëgjues të Radio Vatikanit e vëllezër e motra në Krishtin, gjendemi pra përsëri së bashku për ta lëvduar Zotin, për ta dëgjuar fjalën e tij e për t’u impenjuar për një jetë me dashuri vëllazërore gjithnjë e më solide. Këto elemente na ndihmojnë të jemi qytetarë të vërtetë të botës e ithtarë (ndjekës) të vërtetë të Krishtit.
Leximet biblike të kësaj së diele na propozojnë temën aktuale edhe për ne sot, arë të marrëdhënies ndërmjet fesë e pushtetit politik, marrëdhënies tonë me Zotin e me Cezarin. Çdo njeri është “shëmbëllesë e Zotit”, atij vetëm duhet ti shërbejmë, atij vetëm duhet t’ia dhurojmë veten tonë. Autoriteteve njerëzore le t’u japim tatime apo taksa, mirëpo duke ruajtur lirinë tonë të plotë për t’i shërbyer vetëm Zotit.
Cezari apo pushtetari tokësor mund të vejë e të shtyp figurën e vet mbi gjëra e monedha, por nuk mund ta ngulit e as të le gjurmë në personin, aq më pak në zemrën e tij. Zoti është i vetmi Zotëri i njeriut e nuk ka tjetër përpos Tij. Kjo e vërtetë përbënë themelin e dinjitetit e të lirisë së çdo burri e të çdo gruaje.
Në figurën e perandorit të Persianëve, Kirit – që qeveriste më shumë me liri e inteligjencë se sa me forcë, Hyji i premtoi popullit hebraik lirimin nga skllavëria, kthimin në atdhe e rindërtimin e Jerusalemit dhe të tempullit – e Izaia profet në figurën e Kirit sheh një personazh me të cilin Zoti është shërbyer për të çuar përpara planet e veta në favor të popullit të zgjedhur. Kiri, u bë instrument për lirimin e popullit hebre nga azili. (Leximi parë Is 45,1.4-6).
Shën Pali, pasi ka marrë lajme të mira nga bashkësia kishtare e Tesalonikut, shpejton për ta përgëzuar dhe shpreh gëzimin e madh për frytet e dashurisë, të bamirësisë që kanë lulëzuar në gjirin e kësaj bashkësie besimtarësh. Në leximin e dytë të kësaj së diele kemi tiparet thelbësore të bashkësisë së krishterë.( Leximi dytë 1Ts 1,1-5).
Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu, na kujton pohimin e famshëm të Jezusit “Jepni Cezarit çka i përket Cezarit e Zotit atë çka është e Zotit”. Cezarit, po, por vetëm atë që vërtetë i përket atij, e Zotit zemrën e shpirtin. (Mt 22,15-21)
Dëgjues të dashur, leximet biblike të kësaj së diele na ndihmojnë të shqyrtojmë jetën e veprat tona për të ditur se shëmbëllesë e kujt jemi, e Cezarit apo e Zotit? Jo fjalët, por jeta na e tregon këtë të vërtetë.
Zoti është gjithmonë aktual sepse është gjithmonë i gjallë. Mesazhi i tij i kalon shekujt e asnjë faqe e literaturës botërore nuk është kaq aktuale sa është Ungjilli, që ndriçon jetën shpirtërore e shoqërore, marrëdhëniet tona me Zotin dhe me të afërmin, me bashkësinë e mjedisin shoqëror në të cilin jetojmë e në të cilin duhet të dëshmojmë dashurinë e Zotit.
Tani ti dëgjojmë leximet biblike të kësaj së diele e pastaj komentin.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.