(18.10.2008 RV)Luka Ungjilltar, që është edhe autor i “Veprave të Apostujve”,
i vetmi nga të katër ungjilltarët që nuk ishte hebre, njihet si shkrimtar i butësisë
së Krishtit. Ndoshta vinte nga Antiokia e Sirisë, ku kishte marrë kulturë klasike
dhe kishte studiuar për mjekësi. Ish-pagan, u kthye në fenë e krishterë nën udhëheqjen
e Shën Palit, i cili e quan “Mjek i dashur, shok i shtegtimeve misionare, ngushëllues
i burgimeve, kur të gjithë e kishin braktisur”. Ungjilltari nuk e njohu Jezusin.
U bazua kryesisht në rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpëdrejtë, ndërmjet të cilëve
ka shumë mundësi të kenë qenë disa nga gratë që iu përgjigjen të parat lajmit të mirë,
e në radhë të parë, Maria, Nëna e Krishtit. Luka ndjek me vëmendje fjalët, gjestet,
heshtjen e saj. Ungjillin e shkroi për paganët e kthyer në kristianizëm, duke
theksuar universalitetin e shëlbimit dhe dashurinë e posaçme të Jezusit për të varfërit
e duke dhënë edhe dëshmi origjinale për fëmijërinë e Krishtit. Në Ungjillin e Shën
Lukës spikasin shembëlltyrat që tregojnë ndjeshmërinë e Zotit për të sëmurët e njerëzit
që vuajnë, ndërsa në “Veprat e Apostujve” përshkruan figurën ideale të Kishës, që
nuk heq kurrë dorë nga mësimet e apostujve. Apostulli-mjek e quan Krishtin ‘mjek universal’,
që shëron të gjitha vuajtjet e njerëzimit, Zot të gjithëpushtetshëm, plot butësi e
mëshirë. Sipas gojëdhënave, Luka duhet të ketë qenë edhe piktor e posaçërisht,
autor i shumë portreteve të Zojës së Bekuar. Gjithnjë sipas gojëdhënave, thuhet se
pas vdekjes së Palit, predikoi në vende ndryshme, jashtë Romës. Në të vërtetë nuk
dihet asgjë e saktë për të, pas fjalëve ‘Vetëm Luka është me mua’ që Shën Pali ia
shkroi Timoteut nga burgu. Por Ungjilli i tij vijon të kumtohet, së bashku me atë
të Mateut, të Markut e të Gjonit në mbarë botën. E me të edhe ‘Veprat e Apostujve’.
Në liturgjinë e Fjalës, gjatë Meshës shenjte që kremtohet thuajse në të gjitha gjuhët
e botës, Luka vijon të predikojë edhe në ditët tona.....