131-vjetori i themelimit të Kolegjës Saveriane në Shkodër
(17.10.2008 RV)Kolegja Saveriane e filloi veprimtarinë e vet në shekujt e kaluar,
duke përballuar vështirësitë e pushtuesit, pengesat e fanatizmit e sulmet e antiklerikalizmit
vendas. Kështu mund të themi se interesi i jezuitëve për kulturën shqiptare është
më i hershëm se Kolegja; nis që në shekullin XVIII, kur Papa shqiptar Klementi XI,
si organizoi Kuvendin e Arbnit dhe i kërkoi dokumentet edhe në gjuhën shqipe, hodhi
idenë të mblidheshin materiale e dokumente iliro-shqiptare. Mbledhjen e filloi Atë
Riçeputi e e vazhduen etërit jezuitë Daniel Farlati e Jakob Koleti, që realizuan veprën
fort të çmueshme “Illyricum Sacrum”, një vepër sine qua non per historinë e Shqipërisë.
Ardhja e jezuitëve do të shoqërohej me veprimtari të dendura fetare, arsimore, kulturore
e shoqërore, të panjohura më parë në vendin tonë. Ndër këto veprimtari kujtojmë ngritjen
e shtypshkronjës së parë, botimin e revistës së parë “Elçija e Zemrës së Krishtit”,
krijimin e bandës së parë muzikore e të orkestrave moderne, fillimin e artit dramatik,
lulëzimin e shoqërive kulturore, patriotike e sportive, mbledhjen e koleksionit të
famshëm numizmatik, hapjen e Muzeut botanik, etnografik etj. etj. Jezuitët nisën
edhe punën arsimore. E filluan me një shkollë të vogël, me pak nxënës, per të arritë
te viti i paharrueshëm 1877, data 17 tetor kur në praninë e arqipeshkvit plak Pooten
e të At Zef Lombardinit hapi dyert një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit,
që populli ynë do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane.
Ndër themelues kujtojmë At Luigjin Maca, që dhuroi nga pasuria e shtëpisë së vet 1100
napolona. Ndër civilë duhen permendur familjet shkodrane: Muzhani, Sima, Suma, Saraçi
e Shiroka. Stema e Kolegjit: në ballë shqipja dykrenore, sipër: ‘Per Zot, Per Atme
e Perparim’. Filluan mësimet me seriozitet jezuit: arsim i vërtetë, i plotë, i rregullt;
kulturë e pergjithshme perëndimore, qytetërim i zgjedhur evropian, me programe të
studiuara e të zgjedhura; me metoda të përparuara e efikase; me mjete moderne e të
reja. Shkurt, një formim i gjithanshëm perëndimor. Me të drejtë Papa Piu X i pati
thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni jezuitët në Shkodër”. Shkolla në fillim
pati drejtim tregtar, më vonë mori drejtim klasik, por gjithmonë qe e barazvlershme
me shkollat më të mira të mesme të Evropës Perëndimore. E kjo edhe pse mësuesit që
dhanë mësim në këtë shkollë qenë të gjithë me shkollë të lartë të kryer jashtë shteti,
të gjithë autorë tekstesh a veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik
etj.; të gjithë me një botë të pasur shpirtërore e intelektuale, të gatshëm për të
zhvilluar fuqitë mendore të nxënësve per një formim intelektual të shëndoshë, por
edhe per emancipimin e jetës shoqërore e kulturore si dhe për integrimin e shoqërisë
shqiptare në Kontinentin e Vjetër, në mënyrë që Shqipëria, gjeografikisht në Evropë,
të mos mbetej realisht në Orient. Rrallë ka shkolla me kuadër të tillë arsimor:
Atë Jak Jungu, misionar italian me zemër shqiptari, si i thoshte Shantoja, autor i
një gramatike dhe i një Fjalori dygjuhësh; Atë Anton Xanoni, italian me nanë shqiptare,
që shkroi vetem shqip per ne, autor i “Prijësi në lamë të literaturës”, dhe “Gramatika
e gjuhës shqipe”; Atë Fulvio Kordinjani, autor i shumë veprave; Atë Buxeti i ‘Fjalorit’
të madh; martiri Imzot Bonati që përktheu ‘Lahuten e Malcis’ italisht. Pastaj Atë
Aldeghieri, Atë Fracchioni, Atë Valentini, autor i shumë vëllimeve, ndërmjet të cilëve,
25 vëllimet e “Acta Albaniae Veneta”. Nder mësues shqiptarë: Filip Ashiku, Gaspër
Benusi, Pjetër Marubi, Fejzullah Efendì, Kolë Dema, Dom Ndre Mjeda, mësuesi ynë i
paharrueshem, si thoshte Valentini; Etërit Mark Harapi e Zef Saraçi; Gjush Sheldija,
bashkëpuntori i ngushtë i Valentinit; Musa Efendì Boriçi, Mati Logoreci, Gjon Qerraxhija,
Kolë Thaçi, kater Gurakuqë, tre Rrota (vëllezërit e Pater Justin Rrotës), dy Çefa
e deri te dijetari i thellë, i persekutuari i paepur e mbrojtësi i të drejtave të
njeriut, Atë Pjeter Meshkalla, emrin e të cilit gëzon sot shkolla e rilindur saveriane.
Procesin mësimor e ndihmonin edhe ambientet shkollore, si kabinetet e fizikës e të
kimisë e, sidomos, biblioteka shumë e pasur e jezuitëve. Këtu, si fort rrallë gjetiu,
gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, këtu ‘Illyricum
Sacrum’, dhe ‘Gramatika’ e parë shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thoshte
Mjeda; e para gramatikë në Ballkan; “Historia bizantine” e Du Fressne e Du Cange,
pastaj veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj. dhe skedari
i famshëm i Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat më vonë do të
grabiteshin, do të digjeshin, do të zhdukeshin, e çka do të tepronte, do të çohej
për karton. Por, nëse puna mbatet me rezultatin, atëherë vjen natyrshëm pyetja: ‘Cila
shkollë ka pasur rezultate më të mira, më të frytshme se kjo shkollë? Këtu mjafton
të kujtojmë vetëm disa nxënës, emrat e të cilëve flasin vetë: “Imzot Lazër Mjedën,
meshtar e atdhetar i flaktë, themelues i shoqërive letrare e botuese, mecenat e lavrues
i letrave shqipe; Imzot Luigj Bumçin, anëtar e pastaj kryetar i Dergatës shqiptare
në Konferencën e Paqes në Paris, senator i Shqipërisë; Imzot Prengë Doçin, luftëtar
i idealeve të binomit “Fe e Atdhe”, politikan e diplomat, themelues i shoqërisë “Bashkimi”
e autor krijimesh artistike; Faik Konicën, aristokratin elegant të letrave shqipe,
stilistin e madh e, së fundi, djaloshin e jashtëzakonshëm, Luigj Gurakuqin, përfaqësuesin
e politikës kombëtare e “pionierin e qytetërimit evropian”, pastaj nxënës të tjerë
të shumtë, që u bënë drejtues të administratës shqiptare, kur kjo hidhte hapat e para
të jetës vërtetë demokratike. E ajo që do ia rritë më shumë emrin e mirë kësaj
shkolle, janë shumë profesorë e nxënës, që pritet të ngjiten në nderimet e elterit
si martirë të fesë e të atdheut. Kujtojmë Imzot Bonatin, Atë Faustin, Atë Dajanin,
seminaristin Mark Çuni, të pushkatuarit Dom Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi, Dom
Alfons Tracki, Dom Mark Dushi, Dom Dedë Maçaj, Dom Zef Bici, Dom Pjetër Çuni, Dom
Luigj Pici, Dom Mark Gjani e Dom Lazër Jubani, që vdiq i helmatisur nga sigurimi komunist.
E perfundojmë këtë përkujtim të shkurtër me vlerësimin e Faik Konicës: “Me këto
e të tjera, Kolegja Saveriane mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që
kanë parë shkollat e Francës e të Europës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është
e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.