Me 17 tetor Kisha katolike përkujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir.
(17.10.2008 RV)17 tetori është data e martirizimit të Shën Injacit, ipeshkvit
të tretë të Antiokisë, qyteti më i rëndësishëm në Siri e në mbarë botën e lashtë,
pas Romës dhe Aleksandrisë. Mjafton të kujtojmë se ipeshkvi i parë i këtij vendi ishte
vetë Shën Pjetri. E Injaci qe pasardhësi i tij i denjë, një nga shtyllat e Kishës,
ashtu siç ishte edhe Antiokia shtyllë e botës së lashtë. Nuk qe shtetas romak
e me sa duket, nuk kishte lindur i krishterë. Madje të dhënat dëshmojnë se ishte në
moshë të pjekur, kur u kthye në fenë e krishterë. Por kjo nuk e pengoi të bëhej bari
tepër i zellshëm. Ndërsa ishte ipeshkëv i Antiokisë, perandori Trajan nisi ta
persekutonte Kishën, duke mbytur njëri pas tjetrit njerëzit më të shquar për urti
e shenjtëri në hjerakinë e saj. I arrestuar e i caktuar për t’u flakur në mes të
bishave të egra, Injaci arriti në Romë i lidhur me vargonj, pas një udhëtimi të gjatë
e të lodhshëm. Në kryeqytetin e Perandorisë bëheshin përgatitje të ethshme për festime
të mëdha në nder të perandorit, fitimtar në Dakí, e martirët e krishterë do të shërbenin
për shfaqjet e cirkut, ku do të shqyheshin nga bishat. Gjatë shtegtimit të tij
nga Antiokia në Romë, Injaci Ipeshkëv shkroi shtatë letra, që konsiderohen jo më pak
të rëndësishme se letrat e Shën Palit. Në këto letra, ipeshkvi që po shkonte drejt
një vdekjeje të tmerrshme, i porosiste besimtarët të largoheshin nga mëkati, të ruheshin
nga Gnostikët e sidomos, të çelnikosnin unitetin e Kishës. Kërkonte edhe një gjë tjetër,
duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të Romës: të mos ndërhynin për ta shpëtuar
nga martirizimi. “Ju nuk humbisni asgjë – u shkruante - ndërsa unë humbas Zotin, në
se shpëtoj nga dhëmbët e bishave. Nuk do të kem kurrë më një fat të tillë për t’u
bashkuar me Të. Më lini, prandaj, të flijohem tani, që elteri është gati. Të bashkuar
të gjithë në një kor të vetëm, këndoni: “Zoti u denjua ta çojë nga Lindja në Perëndim
Ipeshkvin e Sirisë”. Në përfundim shpërthente, duke krijuar një nga figurat më
të famshme në historinë e Martirëve: “Më lini të jem ushqim për bishat, të cilat do
të më bëjnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem nga dhëmbët e egërsirave,
që të bëhem bukë e Krishtit”.E, si arriti në Romë në vitin 107, ipeshkvi i Antiokisë
u blua vërtetë nga dhëmbët e bishave të pafajshme të cirkut, për të cilat Martiri
gjeti shprehje poetike të pazakonshme: “Përkëdhelini – shkruante – që të jenë varri
im; të mos lënë gjë prej gjëje nga trupi im e të mos trazohet askush për të më varrosur!”.