2008-10-17 19:05:44

Kongregacioni i 18-të i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve e relacionet e para të rretheve të vogla, kushtuar propozimeve përfundimtare të takimit.


(17.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në Vatikan vijon Sinodi i Ipeshkvijve, kushtuar Fjalës së Zotit. Sot, në Kongregacionin e tetëmbëdhejtë të përgjithshëm, në qendër të vëmendjes ishin Referatet e para të Rretheve të vogla, ndarë sipas pesë zonave gjuhësore: italiane, franceze, angleze, spanjolle e gjermane. Rretheve u është besuar detyra e përcaktimit të temave kryesore, që do të diskutohen, pastaj, për propozimet përfundimtare të Sinodit.

E sot paradite punimet e Sinodit u frymëzuan nga kujtimi i Gjon Palit II, që e pati gjithnjë në gojë Fjalën e Zotit, pikërisht për të reflektuar sa më thellë mbi Fjalën hyjnore. Rrethet e vogla filluan t’u përgjigjen disa prej 19 pyetjeve, që u bëri dy ditë më parë Referuesi i përgjithshëm, kardinali Mark Uelè, në referatin që mbajti pas diskutimit. E atëhere, pyetjes ‘si mund të arrihet në shtimin e përkthimeve të Biblës edhe në gjuhë pak të përhapura’, rrethet iu përgjigjën duke propozuar krijimin, nga ana e Federatës Biblike, të një fondi, që ta financojë këtë projekt.

Po kështu u shpreh mendimi për organizimin e një Kongresi botëror kushtuar Fjalës së Zotit, që u miratua pjesërisht, sepse – u tha – në këtë drejtim do të ishte më mirë të shfrytëzoheshin kongreset eukaristike ndërkombëtare.

Përsa i pëket dialogut ndërfetar, në Sinod u propozua të ndiqet shembulli i Tereza-Benediktës së Kryqit, në shekull Edit Shtain, Shenjtores që, duke u kthyer nga hebraizmi në krishterim, mund të japë një ndihmesë të çmuar, si ‘urë’ ndërmjet dy feve. U ripohua me forcë edhe nevoja për thellimin e marrëdhënieve të mira me islamin, duke pasur parasysh se dialogu me myslimanët nuk është mundësi, por domosdoshmëri jetike për të ardhmen.

U propozua, pastaj, leximi i kënduar i Ungjillit, përgatitja e shërbenjësve të jashtëzakonshëm të Fjalës së Zotit dhe themelimi i kurseve të filozofisë që, duke nisur nga enciklika Fides et Ratio, vulosur dhjetë vjet më parë nga Papa Vojtila, të japin ndihmesën e tyre për ekzegjezën korrekte biblike.

Pastaj u fol për homelitë: rrethet e vogla kërkuan një përmbledhje homelish për predikatarët, por shtuan edhe se është e nevojshme të ngrihet një drejtori e sektorit, pa harruar se homelia është art, që lidhet drejtpërdrejtë me Shpirtin Shenjt, e jo ushtrim oratorie, e se është e nevojshme edhe të njihet tipi i besimtarëve, të cilëve u drejtohet predikimi.

U diskutua edhe për çështjen e ndërtesave kishtare e të gjitha grupet uruan që Sinodi të ndihmojë në ndërtimin e Kishave të reja, vende të zgjedhura për të dëgjuar Fjalën e Zotit, Fjalë që - u tha- edhe fizikisht duhet të kumbojë në një hapësirë, që i kushtohet pikërisht dëgjimit të zërit të Zotit.

Pastaj u ripohua me forcë e drejta që kanë të gjithë për të dëgjuar kumtimin e Fjalës së Hyjit: nuk është fjala për prozelitizëm – u tha në sallë – por për sigurimin e lirisë së nevojshme për t’ua paraqitur të gjithëve vlerën shëlbuese të Ungjillit. Në këtë kuptim, Sinodi kërkoi t’i kushtohet më shumë vëmendje të varfërve, të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë, të gjymtuarve e shurdhmemecëve. U kërkua të ndihmohen më shumë shoqatat ose grupet që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mënyrë që veprimtaria e tyre të ndriçohet sa më shumë nga Fjala e Hyjit.
Ndërmjet temave të fundit, që u diskutuan, ishte edhe ajo e Lectio divina. Lidhur me leximin e Fjalës hyjnore u propozua ngritja e shkollave dioqezane për lexuesit, si dhe ndjekja e shembullit të jetës monastike e kundruese, e cila duhet shikuar si ‘busull’, që i tregon botës së sotme vlerën e jetës në Krishtin, për të cilin ia vlen të jetosh.
Mbi këtë argument të dëgjojmë në mikrofonin e Radio Vatikanit Atë Enco Biankin, të cilin e pyetëm për kontributin, në asamblenë sinodale, të Bashkësisë së Boses, që drejton:

Përgjigje: - Themelore, besoj, është përvoja e gjatë e Lectio divina, një rrugë në të cilën unë e bashkësia ime po ecim që prej dyzet vjetësh. Vjen, pastaj, ndihmesa për dialogun ndërfetar, e jo vetëm me hebraizmin e me islamin, por edhe me fetë e tjera, si budizmi, konfucionizmi ose hinduizmi, që kanë vlera të përbashkëta, siç është, për shembull, jeta monastike. E këto vlera të përbashkëta janë rrugë përshpirtërie. Gjithsesi nuk duhet harruar kurrë veçantia e krishterimit: në zemër të krishterimit nuk është një rrugë etike, rrugë disipline, rrugë përshpirtërie, por është vetë Jezu Krishti, Zoti i mishëruar, që erdhi mes nesh si Shëlbues i botës. Besoj se ne, të krishterët, e kemi për detyrë të dialogojmë me të gjithë, por duke pasur në zemër bindjen se përvoja jonë është përvojë e shëlbimit, e Zotit të gjallë mes nesh.

Pyetje: - Sipas jush, ç’ndryshime do të sjellë ky Sinod, si në këndvështrimin doktrinor, ashtu edhe në atë të jetës së besimtarëve?

Përgjigje: - Në këndvështrimin doktrinor, nuk e besoj se do të sjellë ndryshime, por sigurisht mund të tregojë rrugën për një pranverë të re kishtare, që ka në qendër Fjalën e Zotit, e cila mund të ndryshojë jetët e njerëzve e të hapë rrugë të reja që i çojnë të gjithë drejt shenjtërisë.

Së fundi, është për t’u shënuar dëshmia prekëse e një dëgjueseje, ardhur nga Japonia, Motrës Apolinaris Shimura Yurikoi, Eprore e përgjithshme e Shërbëtoreve të Zojës së Papërlyer: ajo përshkroi një vend shumë të zhvilluar ekonomikisht, por të ndrydhur nën peshën e utilitarizmit. Një peshë, përballë së cilës rregulltaret nuk rrinë duarkryq, por e çojnë përpara misionin e Kishës, duke ndjekur shembullin e shumë martirëve japonezë.

Por, për një sintezë më konkrete të pjesës së parë të Sinodit, në mikrofonin tonë, dy pëfaqësuesit shqiptarë në takimin e madh kushtuar Fjalës së Hyjit: ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini, e kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi, përkatësisht përfaqësues i Konferencës Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë dhe i Konferencës ipeshkvnore ndërkombëtare të Shën Qirilit e Metodit.







All the contents on this site are copyrighted ©.