2008-10-16 16:49:01

Thirrje e imzot Marketos për integrimin e adoleshentëve emigrantë në shkollat e Evropës


(16.10.2008 RV)U zhvillua dje në Bruksel një konferencë mbi emigracionin, ku foli edhe sekretari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Migrantëve dhe endacakëve, imzot Agostino Marketo.
Në qendër të fjalës së tij, promovimi i politikave të përshtatshme për integrimin e adoleshentëve emigrantë, sidomos përsa i përket pjesëmarrjes së tyre në sistemin shkollor të vendeve pritëse. Imzot Marketo theksoi se adoleshentët duken të interesuar për kulturën evropiane e kjo është diçka, që duhet shfrytëzuar për integrimin e tyre sa më të mirë. Por kultura evropiane nuk u duhet paraqitur si diçka e rëndë, e pandryshueshme, por e tillë, që u lejon ruajtjen e identitetit personal e kulturor të vendit të origjinës.
Në vijën e parë të frontit të integracionit janë pra, shkolla dhe shoqatat rinore. Tregues i rëndësishëm i integrimit është prandaj, suksesi i emigrantëve në shkollë, zhvillimi i aftësive personale dhe i autostimës, premisa të domosdoshme për hyrjen në botën e punës së kualifikuar. Vetë Kisha, kujtoi imzot Marketo, ka 196 mijë shkolla në botë, të cilat frekuentohen nga 51 milion fëmijë e të rinj. Gati njëmijë, universitetet katolike, kolegjet dhe institutet e tjera, ku formohen 4 milion studentë. Nëse një të riu emigrant i jepet një formim i mirë shkollor, i krijohet atij mundësia të bëhet “një qytetar i mirë evropian”, përfundoi sekretari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe Endacakëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.