2008-10-16 16:46:55

Papa: Kisha katolike e ka për detyrë të ndërhyjë, me vlerësimin e gjykimin e vet moral, në tema politike e morale që prekin dinjitetin e jetën e njeriut.


(16.10.2008 RV)Kisha katolike e ka për detyrë të ndërhyjë, me vlerësimin e gjykimin e vet moral, në çështjet politike që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë me dinjitetin e personit, me sakralitetin e martesës në mbrojtje të jetës njerëzore. Këtë ka ripohuar Papa Benedikti XVI, në takim me ipeshkvijtë e Ekuadorit, të cilët i priti sot paradite në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limin Apostolorum’.
Megjithëse aktiviteti i Kishës nuk mund të ngatërrohet (pështjellohet) me impenjimin politik – shpjegoi Papa Racinger – ajo duhet t’i ofrojë bashkësisë njerëzore kontributin e vet që është në natyrën e saj, përmes reflektimeve e gjykimit moral, duke përfshirë këtu edhe çështjet politike, në mënyrë të veçantë ato që i përkasin dinjitetit të njeriut”.
Në veçanti, Papa përmendi “ promovimin e stabilitetin e familjes, të themeluar sidomos mbi lidhjen e dashurisë ndërmjet burrit e gruas, mbrojtjen e jetës njerëzore që nga çasti i parë i ngjizjes deri tek mbarimi i saj natyror, siç është përgjegjësia e prindërve në edukimin moral të fëmijëve të tyre”.
Udhëzimet e Benediktit XVI, megjithëse kanë vlerë të përgjithshme, në mënyrë të veçantë i referohen situatës së Ekuadorit, ku Kisha katolike është e angazhuar në kundërshtimin e projektit të reformës kushtetuese, e cila – sipas ipeshkvijve të Vendit – hapet edhe matej ndaj formave të ndryshme të martesës e ndaj lejimit të abortit. Po kujtojmë se Ekuadori është Vendi më i varfër i Amerikës Latine, ku kohëve të fundit janë regjistruar turbullira sociale e politike, që sollën në zgjedhjet e nëntorit 2006. Ekuadori ka 13 milionë e gjysmë banorë, mbi 90 për qind e të cilëve janë katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.