Me 16 tetor kalendari kishtar kujton Shën Margaritën Maria Alakok.
(15.10.2008 RV)E lindur në Borgonjë
të Francës në vitin 1647, Margarita kaloi një rini të vështirë. Iu desh shumë punë
për t’i bindur prindërit që ta lejonin të bëhej rregulltare. Dëshironte të hynte në
Urdhërin e Vizitacionit, themeluar nga Shën Françesku i Sales. Mbas shumë përpjekjesh,
Margarita u bë motër Maria dhe jetoi 20 vjet ndërmjet vizitantineve. Që në hapat e
para në kuvend, ia ofroi veten si fli, Zemrës së Krishtit. Kështu, në gjysmën e dytë
të gjashtëqindës, në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margaritës, lindi
devocioni për Zemrën e Krishtit. Mistikja e madhe dha një ndihmesë themelore për përhapjen
e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por
edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën
e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë
përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të pëshpirtërisë
së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën
një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në
kryq, e shporoi me shtizë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare
mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Të gjitha këto na i tregon, në autobiografinë
e saj, Shën Margarita, përmes përvojës asketike të së cilës lindi festa e Zemrës së
Krishtit dhe praktika e nëntë të premteve të para të muajit.Shën Margarita vdiq më
17 tetor 1690.